ShBA dhe Koreja e Jugut nisin manovrat më të mëdha ushtarake të viteve të fundit

ShBA dhe Koreja e Jugut nisin manovrat më të mëdha ushtarake të viteve të fundit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Jugut kanë filluar manovrat e tyre më të mëdha të përbashkëta ushtarake verore në pesë vjet, mes tensioneve në rritje në gadishullin Korean.

Një zëdhënës i ministrisë së Mbrojtjes të Koresë së Jugut konfirmoi se stërvitjet filluan siç ishte planifikuar, por nuk dha detaje se sa ushtarë ishin të përfshirë dhe çfarë pajisje ushtarake u përdorën.

ShBA-ja ka rreth 28 mijë e 500 trupa të stacionuara në Korenë e Jugut si një masë parandaluese kundër kërcënimeve të fuqisë bërthamore të vetëshpallur të Koresë së Veriut.

“Manovrat Ulchi Freedom Shield përfshijnë trajnime me simulime kompjuterike, stërvitje të përbashkëta në terren dhe një stërvitje të gjerë të mbrojtjes civile në të gjithë Korenë e Jugut. Ato pritet të përfundojnë më 1 shtator. Seuli pret një përgjigje të ashpër nga Pheniani për manovrat 11 ditore. Udhëheqja e Koresë së Veriut akuzon në mënyrë rutinore SHBA se po përgatiten për një sulm me stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut”, përcjell atsh.

Uashingtoni dhe Seuli e kundërshtojnë atë dhe theksojnë se stërvitjet kanë për qëllim përmirësimin e aftësive mbrojtëse, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Tensionet në rajon janë rritur këtë vit pas një sërë testesh të Koresë së Veriut që përfshijnë raketa bërthamore.

LEXO EDHE:

Back to top button