SHBA-ja dhuron edhe 308 milionë dollarë ndihmë për Afganistanin

Shtetet e Bashkuara do të dhurojnë edhe 308 milionë dollarë ndihmë humanitare për Afganistanin, njoftoi Shtëpia e Bardhë më 11 janar. Me këtë shumë, vlera totale e ndihmës së SHBA-së që nga tetori për shtetin e shkatërruar nga lufta ka arritur në pothuajse 782 milionë dollarë.

Njoftimi i Shtëpisë së Bardhë vjen në ditën e njëjtë kur Kombet e Bashkuara bën thirrje për mbledhjen e 5 miliardë dollarëve ndihmë për Afganistanin gjatë këtij viti, me qëllim që të shmanget katastrofa humanitare.

Ndihma shtesë nga Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) do të shpërndahet përmes organizatave të pavarura humanitare, që do të ofrojnë strehim, kujdes shëndetësor, ushqim, ujë, shërbime higjienike, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Emily Horne, përmes një deklarate.

Horne po ashtu tha se Uashingtoni do t’i japë Afganistanit edhe 1 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit, duke sjellë në 4.3 milionë numrin e dozave të dhuruara.

“SHBA-ja është e përkushtuar që të mbështesë popullin afgan dhe ne vazhdojmë t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë që i kemi në dispozicion. Ne qëndrojmë përkrah popullit të Afganistanit”, tha Horne.

Ndërkaq, Kombet e Bashkuara kanë thënë të martën se u duhen 5 miliardë dollarë si ndihmë për Afganistanin më 2022, në mënyrë që të parandalojnë katastrofën humanitare.

Kjo është shuma më e madhe që ka kërkuar ndonjëherë OKB-ja, në një thirrje të vetme.

Ajo ka thënë se fondet i duhet për Afganistanin dhe miliona afganë që janë duke u strehuar nëpër vendet fqinje.

Sipas saj, 22 milionë persona brenda Afganistanit dhe 5.7 milionë tjerë që janë zhvendosur në pesë vende fqinje, kanë nevojë për ndihma.

“Po i afrohemi katastrofës së plotë humanitare. Mesazhi im është urgjent: Mos i mbyllni dyert për popullin e Afganistanit”, ka thënë shefi i OKB-së për Ndihma, Martin Griffiths.

Prej kur talibanët kanë marrë pushtetin në Afganistanin, në gusht të vitit të kaluar, ky shtet është përballur me kaos financiar, inflacion dhe papunësi në rritje.

Uashingtoni ka bllokuar miliarda dollarë të aseteve të këtij shteti, ndërkohë që edhe ndihmat janë penguar.

Përveç krizës ekonomike, Afganistani është përballur me thatësinë më të rëndë në dekada më 2021.

Pa paketë të ndihmës “nuk do të ketë të ardhme”, ka thënë Griffiths para gazetarëve në Gjenevë.

LEXO EDHE:

Back to top button