SHBA-ja kryen sulme të reja ndaj rakethedhësve iranianë, shihen si “sinjal” për Teheranin lidhur me Hormuzin
Forcat amerikane goditën dy rakethedhës iranianë në ishullin Larak, në Ngushticën e Hormuzit, pasi Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) u vërejt duke u përgatitur të lëshonte raketa me mina detare, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë një zyrtar amerikan.
Sulmet e 30 gushtit shënojnë sulmin e parë të raportuar publikisht dhe direkt të SHBA-së ndaj pozicioneve ushtarake iraniane në më shumë se një muaj, dhe vijnë në një kohë kur Uashingtoni po përpiqet të rikthejë transportin detar përmes një prej pikave më strategjike të kalimit detar në botë.
Zyrtari amerikan tha se forcat e IRGC-së po përgatiteshin të lëshonin raketat me mina detare në ngushticë. Javën e kaluar, Komanda Qendrore e SHBA-së tha se forcat amerikane kishin përfunduar pastrimin e minave detare nga rrugët ndërkombëtare të transportit në ngushticë dhe po monitoronin nga afër aktivitetin atje.
“Forcat amerikane po e monitorojnë nga afër zonën dhe mbeten të gatshme për të mbrojtur qarkullimin e lirë të tregtisë përmes kësaj rruge ujore thelbësore”, tha zyrtari.
Komanda Qendrore e SHBA-së tha se “forcat amerikane ndërmorën një veprim të kufizuar dhe të saktë kundër forcave të IRGC-së që vendosnin mina dhe që përbënin një kërcënim të menjëhershëm në ngushticën e Hormuzit. Në thelb, Irani krijoi kërcënimin dhe ushtria amerikane e eliminoi atë për të mbrojtur anijet civile, transportin tregtar dhe qarkullimin e lirë të tregtisë globale”.
IRGC-ja, forca e linjës së ashpër e Iranit, u zotua për hakmarrje. Në një deklaratë të transmetuar nga mediat shtetërore iraniane, ajo pranoi “martirizimin dhe plagosjen e disa prej luftëtarëve dhe bashkëqytetarëve tanë” dhe tha se sulmi “do të rezultojë në ndëshkimin e agresorit”.
Më vonë, IRGC-ja tha se kishte lëshuar raketa balistike ndaj dy bazave ku janë të dislokuara forcat amerikane në Jordani, në shenjë hakmarrjeje. Jordania, aleate e ngushtë e SHBA-së, tha se kishte penguar tetë raketa që hynë në hapësirën e saj ajrore herët më 31 gusht./rel.








