SHBA kërkon që lufta Izrael-Hezbollah të përfundojë sa më shpejt që është e mundur
SHBA kërkon që lufta Izrael-Hezbollah të përfundojë sa më shpejt që është e mundur
Shtetet e Bashkuara kanë thënë të hënën se kërkojnë që lufta Izrael-Hezbollah të përfundojë “sa më shpejt që është e mundur”, teksa shtyjnë përpara një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, që i kërkon grupit të armatosur të tërhiqet prej jugut të Libanit.
Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.
I dërguari amerikan, Amos Hochstein, ka zhvilluar bisedime me kryetarin e Parlamentit të Libanit, Nabih Berri – aleat i Hezbollahut – në Bejrut, teksa tenton t’i japë fund luftës së nisur që gati një muaj, e cila ka vrarë më shumë se 1.470 njerëz në Liban.
“Lidhja e të ardhmes së Libanit me konflikte tjera në rajon, nuk ka qenë, dhe as nuk është në interesin e njerëzve të Libanit”, ka thënë Hochstein, duke iu referuar kërkesës kryesore të Hezbollahut, që secili armëpushim në Liban të jetë i lidhur me dhënien fund të luftës në Gazë.