SHBA nuk pret arritje konkrete në bisedimet me Rusinë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të dielën se Shtetet e Bashkuara nuk presin ndonjë arritje në bisedimet e kësaj jave me Rusinë, të cilat janë të rëndësishme për të ardhmen e marrëdhënies mes dy vendeve. Bisedimet kanë në epiqendër Ukrainën, por prej tyre ndoshta varet edhe vetë stabiliteti në Evropë pas Luftës së Ftohtë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se nuk pret të arrihet ndonjë arritje konkrete gjatë bisedimeve javën e ardhshme me Rusinë. Ai i tha emisionit “State of the Union” të kanalit CNN se progresi do të varet nga veprimet e të dyja palëve gjatë negociatave dhe se Uashingtoni shpreson se do të shmanget perspektiva e një pushtimi të ri të Ukrainës nga Rusia.

Më herët, një zyrtar i lartë i administratës së Presidentit Biden kishte thënë se Shtetet e Bashkuara nuk janë të hapura të diskutojnë kufizime të mundshme në dislokimet e trupave amerikane ose praninë e forcave amerikane në vendet e NATO-s në rajon. Megjithatë, ai la të hapur mundësinë që palët të diskutojnë kufizimin e stërvitjeve ushtarake dhe dislokimin e raketave në rajon.

Dallimet e thella në qëndrimet e dy vendeve nuk ngjallin shpresë për ndonjë zgjidhje të shpejtë për çështjen e Ukrainës apo tema të tjera me interes të ndërsjellë, ndërkohë që mosbesimi duket të jetë në nivelin më të lartë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.

LEXO EDHE:

Back to top button