SHBA paralajmëron Rusinë për ‘kosto reale’ në rast të përshkallëzimit në Ukrainë
Presidenti i SHBA Joe Biden pritet t’ia bëjë të qartë homologut të tij rus Vladimir Putin se “do të ketë kosto shumë reale” në rast të një përshkallëzimi ushtarak me Ukrainën, sipas një zyrtari te qeverisë amerikane.
Përpara një samiti në internet mes liderëve rusë dhe amerikanë të martën, këshilltari për sigurinë kombëtare Jake Sullivan tha se Putini mund të presë “kundërmasa të konsiderueshme ekonomike si nga evropianët ashtu edhe nga SHBA që do të impononin dëme të konsiderueshme dhe të rënda ekonomike nëse Rusia do të vazhdonte me një ofensivë ushtarake”.
Mirëpo, Biden në bisedime do të theksojë se ka rrugë diplomatike për të dalë nga kriza.
“Për të qenë të qartë, ne nuk e dimë nëse presidenti Putin ka marrë një vendim për përshkallëzimin e mëtejshëm ushtarak në Ukrainë, por ne e dimë se ai po vendos aftësinë për t’u përfshirë në një përshkallëzim të tillë nëse vendos ta bëjë këtë”, theksoi Sullivan.
Biden pritet të flasë me aleatët kryesorë evropianë për të “koordinuar mesazhin e tij”, ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të flasë para kohe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Sullivan tha se nëse Rusia pushton Ukrainën, “do të kishte një kërkesë në rritje nga aleatët në krahun lindor dhe një përgjigje pozitive nga SHBA për forca dhe aftësi shtesë”.
Në bisedën e tyre video nesër pasdite, Putin dhe Biden pritet të diskutojnë gjithashtu sigurinë kibernetike, programin bërthamor të Iranit dhe konflikte të tjera ndërkombëtare.








