SHBA, rreth 40 mijë të pastrehë në Los Angeles do të vendosen nëpër hotele

SHBA, rreth 40 mijë të pastrehë në Los Angeles do të vendosen nëpër hotele

Kryetarja e Bashkisë së qytetit Los Angeles të SHBA-së, Karen Bass tha se do të vendosin nëpër hotele rreth 40 mijë të pastrehë në kuadër të një programi të ri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për kanalin NBC, Bass njoftoi se nga kjo javë do të fillojnë punimet për të evakuuar në hotele të pastrehët që jetojnë nëpër tenda (çadra) në zona të caktuara në Los Angeles.

Ajo deklaroi se evakuimi i të pastrehëve në dhomat e hotelit në etapën e parë nuk do t’i përfshijë të gjithë, por mendon se kjo punë do të ketë ndikim në masë të rëndësishme për zgjidhjen e problemit të të pastrehëve si një hap në drejtimin e duhur.

“Nuk do t’i detyrojmë të pastrehët në çështjen e evakuimit. Askush nuk do të detyrohet për këtë ose askush nuk do të ndëshkohet për këtë”, tha Baas.

Kryetarja demokrate e bashkisë vuri në dukje se në qytetin me rreth 4 milionë banorë ndodhen afërsisht 40 mijë të pastrehë dhe se 17 mijë prej tyre synohet që në vitin e parë të vendosen në banesa në mënyrë të përkohshme ose të përhershme.

Organizatat e shoqërisë civile që mbrojnë të drejtën e të pastrehëve kanë mirëpritur idenë për të vendosur të pastrehët nga strehimoret masive ose çadrat nëpër hotele dhe potencuan se kjo nuk duhet të bëhet me detyrim.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom i cili ka sjellë për herë të parë idenë e vendosjes së personave të pastrehë në hotele përpara shpërthimit të COVID-19 në vitin 2020, inkurajoi administratat e qyteteve dhe rajonale në shtet për përdorimin e hoteleve dhe përshtatjen e ndërtesave si banesa për të pastrehët.

LEXO EDHE:

Back to top button