SHBA-Rusi, bisedimet për Ukrainën të pasuksesshme

SHBA dhe Rusia përfunduan pa sukses bisedimet për Ukrainën. Sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Blinken, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u takuan në Gjenevë në përpjekje që të shmangin një luftë të mundshme në Evropë. Por diplomatët e lartë gjatë takimit që zgjati rreth një orë e gjysmë nuk arritën t’i përafrojnë qëndrimet. Sekretari amerikan i shtetit Blinken tha se ka paralajmëruar kolegun e tij rus, për një përgjigje të “shpejtë dhe të ashpër” nëse Rusia pushton Ukrainën.

“Jemi të gatshëm për kundërpërgjigje të shpejtë, të ashpër dhe të unifikuar ndaj çdo forme të agresionit nga ana e Rusisë ndaj Ukrainës. Ne do të vazhdojmë të përgatitemi në mënyrë të vendosur për të dyja rrugët që kemi hartuar për Rusinë, rrugën e diplomacisë dhe dialogut apo rrugën e agresionit, të konfrontimit dhe pasojave”, deklaroi Anthony Blinken, sekretar amerikan i shtetit.

Menjëherë pas takimit, Lavrov tha se Rusia nuk përbën kërcënim ndaj Ukrainës dhe se nuk do ta sulmojë atë. Lavrov tha se shpreson që “emocionet do të ulen”, pas bisedimeve “të sinqerta” me SHBA-të.

“Ne ramë dakord që javën e ardhshme të na prezantohen në formë të shkruar përgjigjet ndaj kërkesave tona të sigurisë”, u shpreh Sergei Lavrov, Ministër i Jashtëm i Rusisë.
Rusia dëshiron “tërheqjen e forcave të huaja, pajisjeve dhe armëve” nga vendet që nuk ishin anëtare të NATO-s para vitit 1997, duke përfshirë Bullgarinë dhe Rumaninë, tha ministria e Jashtme ruse përpara takimit Blinken-Lavrov. Por diplomati amerikan ishte i qartë sa i përket zgjerimit të NATO-s.

“Ne nuk do të zmbrapsemi nga parimet themelore për mbrojtje, njëri prej tyre është dyert e hapura të NATO-s dhe parimi tjetër që një komb nuk mund të dhunojë dhe ndryshojë kufijtë e një shteti tjetër me forcë”, tha Anthony Blinken, sekretar amerikan i shtetit.

Rusia ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa në Krime dhe pranë kufijve të Ukrainës, duke ngritur alarmin në kryeqytetet perëndimore se Moska po përgatit veprime të mëtejshme ushtarake kundër Ukrainës. Moska tashmë mbështet luftëtarët separatistë në një luftë të vazhdueshme në Ukrainën lindore që ka marrë jetën e më shumë se 13 mijë personave që nga viti 2014, të njëjtin vit kur aneksoi ilegalisht Krimenë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button