SHBA, stuhia e dimrit sjell tornado dhe të reshura të borës – shtyhen mijëra fluturime

Një stuhi e fortë dimri shkaktoi tornado në pjesën jugore të SHBA-së, dhe solli me vete reshje të dendura bore dhe kushte të tjera ekstreme të motit në të gjithë vendin, si dhe në disa pjesë të Kanadasë.

Siç raporton BBC, disa persona në Teksas u lënduan dhe ndërtesat u dëmtuan nga stuhia. Rreth 9 mijë fluturime janë shtyrë të hënën dhe të martën, pasi stuhia u përhap në të gjithë vendin, transmeton Telegrafi.

Stuhia shkaktoi mbyllje të rrugëve në disa shtete perëndimore, ku pritet të bjerë deri në 60 centimetra borë.

“Është një stuhi mjaft e fortë”, tha Richie Otto, meteorolog nga Qendra për parashikimin e motit.

“Është pak më e madhe se stuhia mesatare e dimrit. Njerëzit duhet të qëndrojnë në shtëpi gjatë ditës nëse jetojnë në veri,” shtoi ai.

“Moti i ashpër filloi të hënën mbrëma dhe pritet të vazhdojë edhe sot, duke prekur rrafshinat qendrore dhe veriore, një rajon i SHBA-së që përfshin Montanën lindore, Wyoming, Dakotën e Jugut dhe Nebraskën”, tha Otto.

Në këto vende priten erëra të forta që lëvizin me shpejtësi prej mbi 120 kilometra në orë, dhe reshje të dendura bore. Më shumë se 20 milionë njerëz në SHBA, ishin nën një paralajmërim të motit të rëndë të martën.

Paralajmërimet e Shërbimit Kombëtar të Motit për stuhi preknin edhe Koloradon. Ato janë lëshuar për shkak të erërave të forta të shoqëruara me reshje të dendura bore.

Jugu i Teksasit u godit nga një seri stuhish që shkaktuan tornado të shumta në pjesën veriore të shtetit, duke përfshirë një në Wise County, afër Dallasit, që dëmtoi shtëpi dhe biznese.

Të paktën shtatë persona në Teksas u lënduan nga kushtet e rënda të motit, thanë zyrtarët lokalë.

Stuhia u përhap në Kanada, me borë të dendur dhe erëra të forta që goditën rajonin jugor të Prairie, duke përfshirë provincat e Saskatchewan dhe Manitoba.

 

LEXO EDHE:

Back to top button