SHBA-të zgjerojnë listën e zezë kundër kompanive me sistem spiunazhi

SHBA-të zgjerojnë listën e zezë kundër kompanive me sistem spiunazhi

Gazetar: Adrian Kerimi

Departamenti Amerikan i Thesarit ka vendosur në listë të zezë kompaninë “Intelexa” dhe katër kompani të tjera pjesë e konzorciumit të saj: “Intelexa S.A” nga Greqia, “Intelexa Limited” dhe “Talestris Limited” nga Irlanda si dhe “Sajtroks Hollding” nga Maqedonia e Veriut. Kjo e fundit u bë pjesë e listës së zezë edhe në korrik të vitit kaluar për shkak të veprimtarive kundër politikave të sigurisë që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si rrjedhojë listës i janë bashkëngjitur edhe dy individë, njofton DATH duke potencuar se veprimtaria e tyre paraqet rrezik serioz të karakterit të spiunazhit kundër zyrtarëve shtetëror, ekspertëve politik dhe gazetarëve.

“Veprimet e sotme paraqesin një hap të madh përpara në dekurajimin e keqpërdorimit të mjeteve të mbikëqyrjes komerciale, të cilat paraqesin gjithnjë e më shumë një rrezik sigurie për Shtetet e Bashkuara dhe qytetarët tanë. SHBA-të mbeten të fokusuara në vendosjen e kornizave (limiteve) të qarta për zhvillimin dhe përdorimin e përgjegjshëm të këtyre teknologjive, duke siguruar gjithashtu mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive civile të individëve në mbarë botën”, thonë nga Departamenti Amerikan i Thesarit.

Kompania SAJTROKS për të cilën eksponentë të caktuar politik kishin denoncuar publikisht më herët veprimtarinë e saj të dyshimit në shfrytëzimin e sistemit për ndjekjen e komunikimeve dhe zhvillimin e programeve të spiunazhit, bëhet pjesë e listës së zezë për shkak se ka zhvilluar sistemin Predator të spiunazhit i cili sipas Departamentit Amerikan të Thesarit ka cenuar sigurinë dhe privatësinë e njerëzve dhe subjekteve.

“SAJTROKS AD është kompani me adresë në Maqedoninë të Veriut si pjesë e Konzorciumit Intelexa dhe vepron si pjesë zhvillimore e programit të spiunazhit Predator. SAJTROKS AD u bë pjesë e listës së subjekteve nga Departamenti i Tregtisë më 18 korrik të vitit kaluar, për regjistrimin dhe shfrytëzimin kibernetik dhe qasjen në sistemet e informacionit duke cenuar privatësinë dhe sigurinë individuale dhe të organizatave në nivele botërore”, njoftojnë nga Departamenti Amerikan i Thesarit.

“Sajtroks” si kompani me adresë në Shkup dhe në pronësi të “Inteleksa” ishte drejtuar nga Ivo Malinkovski, djali i biznesmenit të njohur Ilija Malinkovski. Malinkovski i ri ka udhëhequr me këtë kompani në kohën kur organizata kanadeze publikoi informacione lidhjen e kompanisë maqedonase me softuerin “Predator”. Pas kësaj është ndryshuar drejtuesi i kompanisë, ndërsa në qershor është emëruar Silvia Jastrzebska. Skandali që lidhet me cenimin e sigurisë nacionale të SHBA-ve dhe shteteve ku veprojnë kompanitë, dyshohet të ketë mundësuar softuer i cili ka ndikuar në përgjimin dhe ndjekjen e komunikimeve të qytetarëve. Autoritetet vendase kanë pasur njohur për veprimet e “Inteleksas” dhe veprimet e saj mbi përgjimet masive në Greqi të gazetarëve dhe kritikëve të pushtetit. Në rrethana jo zyrtare mësohet se ish Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim kishte informacion për këtë softuer që nga viti 2017. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button