Departamenti amerikan i Shtetit ka përditësuar më 25 gusht këshillën për udhëtime në Kosovë, duke u bërë thirrje qytetarëve amerikanë të ushtrojnë kujdes të shtuar sidomos në pjesë veriore të Kosovës.
Kosova është në nivelin 2 – “Ushtro kujdes të shtuar”, ndërsa për pjesën veriore të vendit këshilla është ngritur në nivelin 3 të rrezikut– “Rishikoni udhëtimin”. (1 = ushtro kujdes normal, 2 = kujdes i shtuar, 3 = rishiko udhëtimin, 4 = mos udhëto).
Në këshillën e publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit thuhet se tensionet e lidhura me situatën politike mund të zhvillohen shpejtë dhe mund të shkaktojnë ndërprerje të transportit dhe shërbimeve të tjera thelbësore.
SHBA-ja paralajmëron gjithashtu për rrezikun nga dhuna, përfshirë sulmet terroriste dhe aktivitete të tjera të lidhura me terrorizmin në rajonin e Ballkanit, përfshirë Kosovën.
Veriu në nivelin 3
Departamenti amerikan i Shtetit u rekomandon qytetarëve amerikanë të rishqyrtojnë udhëtimin në veriun e Kosovës, konkretisht në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, për shkak të rrezikut nga trazirat.
Sipas këshillës, tensionet etnike në këto zona paraqesin potencial për trazira të dhunshme civile.








