Shënohet 112 vjetori i lindjes së Nënë Terezës

Shënohet 112 vjetori i lindjes së Nënë Terezës

Gazetar: Mefail Ismaili

Shënohet përvjetori i lindjes së një prej njerëzve më bujar që ka njohur historia njerëzore, Nënë Terezës. Në 112-vjetorin e lindjes dhe 25-vjetorin e vdekjes së Nënë Terezës, në Shkup u hap manifestimi kulturor-shkencor “Drita e Gonxhes” i cili këtë vit fillon si edicion i veçantë i organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve. Në këtë manifestim u fol për jetën dhe veprën e Nënë Terezës.

“Kemi arritur të aktivizojmë një gamë të gjerë resursesh intelektuale e institucionale brenda dhe jashtë vendit tonë, sepse konsiderojmë se nuk mjafton të kesh në duar një kauzë të madhe humane e civilizuese siç është Nëna Tereze, por duhet edhe strategji konkrete për ta shndërruar këtë kauzë në një dioptri më të zgjeruar”, deklaroi Skënder Asani, drejtor i ITSHK-së.

Don Lush Gjergji, theksoi tha se Nënë Tereza është simbol i bashkimit midis njerëzve.

“Nëna Terezë është fryti ynë, është gjaku ynë, është tradita jonë, është kultura jonë. Nënë Tereza duhet të jemi ne sepse trashëgimia shpirtërore dhe kulturore mbetet në bijtë dhe bijat e saja shpirtëror që është mbar populli shqiptar”, tha Don Lush Gjergji, përfaqësues i Kishës Katolike të Kosovës.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu ka lindur më 26 gusht të 1910 në Shkup, por me “shtëpi” në gjithë botën. Jetën ajo ua dedikoi të gjithë njerëzve që ishin në nevojë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button