Shërbime 24/7 për qytetarët, mbeti vetëm premtim i ish kryetarit të Gostivarit Arben Taravari

Shërbime 24/7 për qytetarët, mbeti vetëm premtim i ish kryetarit të Gostivarit Arben Taravari

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Instalimi i platformave elektronike që do ofronin shërbime për qytetarët 24 orë në ditë 7 ditë të javës, si dhe një platformë unike për komunat ku do përfshiheshin edhe ndërmarrjet publike e ku do mund të bëheshin pagesat, marrja e dokumenteve personale dhe pagesat e tatimeve. Këto ishin premtimet që ish kreu i komunës së Gostivarit Arben Taravari, i kishte premtuar gjatë fushatës parazgjedhore. Por digjitalizimi i shërbimeve komunale mbeti në letër, ndërsa aparatet e vendosura në hyrje të komunës për këtë çështje, nuk funksionuan asnjëherë. Ushtruesi i detyrës Kryetar i Komunës thotë se zgjidhjen për Ndërmarrjen Publike dhe tatimin e kanë bërë përmes aplikacioneve, ndërsa “e-kiosku”, ka mbetur pa u realizuar.

Këto aparate për kryerje të pagesave apo dokumentacioneve të ndryshme apo të tatimit në komunë, janë vendosur tash e shumë kohë më parë por problemi është se asnjëherë nuk janë futur në funksion. Premtimi ishte se sportele të këtilla elektronike do të bëhen disa dhe qytetarët do e kenë shumë më lehtë pagesën apo nxjerrjen e ndonjë dokumenti, por kjo gjë nuk ndodhi asnjëherë. Nga komuna e Gostivarit thonë se, tani do fillojnë të eksperimentojnë për atë nëse projekti do të del i suksesshëm apo jo.

“E-kioskun që e kemi në komunë por bisedojmë, sepse kishte një problem teknik që e kishim më vështirë për ta zgjidhur, por, sipas fjalëve, besoj se deri në vitin e ri edhe kjo do jetë në funksion për qytetarët. Për momentin këto shërbime janë të lidhura me komunën e Gostivarit por jo edhe të integruara nga institucionet tjera, por ne do bëjmë çmos edhe me institucionet tjera që t`iu mundësojmë qytetarëve nxjerrjen e dokumenteve që nuk i përkasin komunës”, tha Valbon Limani, UD kryetar ui komunës së Gostivarit.

Ky nuk është premtimi i vetëm që u dha gjatë fushatës parazgjedhore nga ish kreu i komunës dhe që nuk u realizua asnjëherë. Këto kosha plehrash, duhej të ishin smart dhe të sinjalizonin kamionin për bartje të mbetjeve në momentin që janë të mbushur. Por këto kosha lëre që nuk sinjalizojnë me mençurinë e tyre, por ato as që pranojnë mbetje brenda tyre, dhe të njëjtat ndodhen jashtë koshave.

“Për momentin rishikohen. Ne së pari bëmë një sistem kompakt funksional dhe tanimë veç jemi në bisedë me ca të rinj që kanë një sistem inovator. Fillimisht do e bëjmë si pilot projekt me dhjetë pika nëpër qytet që do jenë me sensor dhe do sinjalizojnë kamionat për bartje të mbetjeve dhe nëse del mirë, vitin e ardhshëm do kalojmë edhe me pajisjen e gjithë koshave në qytetin e Gostivarit”, shtoi Valbon Limani, UD kryetar ui komunës së Gostivarit.

Limani madje pranon se deri më tani as që ka pasur ndonjë studim real apo feedback real për këtë projekt.

“Deri më tani nuk kemi pasur ndonjë fidbek real apo studim real për atë se si mund të funksionojë dhe nuk kemi pasur ndonjë studim të saktë se sa janë funksional. Tanimë e kemi biseduar dhe do shohim se sa në terren do jetë funksionale”, theksoi Valbon Limani, UD kryetar ui komunës së Gostivarit.

Në Gostivar kanë mbetur pa u realizuar edhe një numër i madh i premtimeve në sferën e infrastrukturës, me theks të veçantë nëpër fshatra siç janë rrugët dhe kanalizimi fekal e atmosferik./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button