Shifra shqetësuese për rastet me kancer në qafën e mitrës në Maqedoni

Shifra shqetësuese për rastet me kancer në qafën e mitrës në Maqedoni

Gazetare: Vjollca Aliti

20-21 në 100,000 gra diagnstikohen me kancerin e qafës së mitrës, ndërkaq 4-5 gra prej tyre vdesin si pasojë e këtij kanceri. Nga Shoqata e mjekëve të Maqedonisë thonë se këto të dhëna janë shqetësuese, krahasuar me vendet e zhvilluara ku rastet me kancer të qafës së mitrës janë shumë më të ulëta. Vaksina HPV e cila merret në moshën nga 12-15 vjeçe cilësohet si njëra nga mbrojtjet më efikase kundër këtij kanceri e cila mbron deri në 90%. Të dhënat e vitit 2019 tregojnë se në Maqedoni 57% e vajzave të moshës 12-15 vjeçare kanë pranuar këtë vaksinë.

“Incidenca është shumë e lartë. Duhet të zbatohen masa parandaluese. E nevojshme është një program parandalues i cili përbëhet nga prevenimi primar, duke nisur nga vaksinimi dhe të nivelit sekondar-që është skriningu”, deklaroi Goran Dimitrov, Shoqata Mjekëve të Maqedonisë.

“Kanceri i qafës së mitrës në Maqedoni është i dyti me radhë pas kancerit të gjirit, i cili prek më së shumti gjininë femërore edhe atë në moshën nga 15-45 vjeçare. Hulumtimet kanë treguar se numri më i lartë i grave të prekura janë në vendet në zhvillim. Kjo vaksinë HPV është e regjistruar nga 2006, tek ne jepet nga viti 2008”, u shpreh Aleksandra Grozdanova, Komiteti për imunizim.

Si masë parandaluese, Sistemi elektronik Termini Im në dosjen e posaçme të pacientit do ketë pjesë të veçantë e cila do quhet “shëndeti i gruas” ku mjeku që do e kontrollojë pacienten mund t’i shohë në një vend raportet e testeve gjinekologjike ku mund të shihet statusi HPV i gruas. Aty do mund të shihet nëse një grua është HVP pozitive si dhe cili është statusi i saj vaksinal.

Ndryshe 23-29 janar është java botërore për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button