Shkarkimi i ekipit menaxhues për statutin e Asociacionit, shkaktoi reagimin e Brukselit

Shkarkimi i ekipit menaxhues për statutin e Asociacionit, shkaktoi reagimin e Brukselit

Roli i Ekipit Menaxhues për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë përfundon vetëm kur ai statut të miratohet. Sipas Bashkimit Evropian, vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta shkarkuar atë është në kundërshtim me marrëveshjen.

“Ata nuk ishin pjesë e asnjërit delegacion, as të Serbisë e as të Kosovës. Palët ishin pajtuar rreth përbërjes së Ekipit Menaxhues. Anëtarët e Ekipit Menaxhues janë propozuar nga Serbia dhe zyrtarisht janë emëruar nga Kosova”, deklaroi Peter Stano, Zëdhënës i BE-së.

Sipas BE-së, tha Stano, “marrëveshjet e dialogut qartë thonë se ekipet menaxhuese duhet të ekzistojnë derisa të miratohet statuti i Asociacionit”.

“Ekipi Menaxhues propozoi dhe paraqiti draftin e parë, që do të thotë se nisën procesin e jo që procesi mori fund. Prandaj, vendimi për ta shkarkuar Ekipin Menaxhues shkel tekstin dhe frymën e marrëveshjes”, tha Peter Stano, Zëdhënës i BE-së.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha se “një krizë e madhe pritet në veri të Kosovës”, pas zgjedhjeve të 23 prillit. Ai as këtë herë nuk la pa përmendur dhe akuzuar edhe ndërkombëtarët, për të cilët tha se “po e mbështesin kryeministrin e Kosovës në përpjekje për të thyer rezistencën serbe”.

“Kurti refuzoi, kishte një propozim për të bërë një zgjidhje të përkohshme në të cilën ata nuk do të merrnin zyrat e tyre më 28 maj sepse sigurisht që do të sjellë trazira dhe probleme, mendova se ishte një mundësi ideale që Kurti të dilte nga turpi i madh në të cilin e ka futur veten, pastaj kuptova se ishte në të vërtetë një plan, që ai edhe pse thotë se nuk është entuziast për këtë, ai është thelbësisht entuziast dhe e sheh si mundësinë më të mirë për t’i dëbuar serbët nga veriu i Kosovës. Kur e kuptuan se kjo nuk mund të kalonte dhe se isha mjaft i vendosur që diçka e tillë ishte thjesht e pamundur, u përpoqën t’i zgjidhnin gjërat në veri në mënyrë racionale, sepse një krizë e madhe po na pret”, u shpreh Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për formimin e Asociacionit në vitin 2013, ndërsa për parimet e tij janë dakorduar në vitin 2015. Në vitin 2016, Ministria e atëhershme e Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale në Kosovë ka emëruar Ekipin Menaxhues për hartimin e draft-statutit. Por, marrëveshja për Asociacion nuk është zbatuar kurrë, për shkak të këmbënguljes së Beogradit që ai të ketë kompetenca të gjera. Prishtina i ka refuzuar ato, me arsyetimin se mund ta kërcënojnë funksionalitetin e shtetit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button