Shkolla e re në Çair mbetet premtim, Komuna arsyetohet me ndryshimet urbanistike

Shkolla e re e premtuar në komunën e Çairit për zgjidhjen e problemit me numrin e madh të nxënësve në disa shkolla ekzistuesve nuk do të zgjidhet edhe për një kohë, pavarësisht se premtime të tilla kishte në vazhdimësi nga ana e drejtuesve të kësaj komune gjatë fushatës elektorale. Kreu i Çairit, Visar Ganiu tha se shkolla e re në Çair nuk do të bëhet realitet derisa nuk bëhen ndryshime të planit detal urbanistik në Komunën e Karposhit.

Është biseduar për një shkollë të re dhe ajo lidhet çdoherë me planet detale. Plani detal i ri..ajo shkollë do i shërbente qytetarëve të Çairit por në territor është në kufi me komunën e Karposhit. Kemi pas bisedime me kryetarin. Ka shprehur gatishmëri që gjatë planeve të reja kur të kalojnë atë pullë ndërtimi mos ta prek, ta lë shkollë fillore. Në të ardhmen ajo shkollë fillore të ndërtohet por të jetë për banorët e komunës së Çairit – deklaroi Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit.

Në mungesë të shkollës dhe me qëllim zbutjen e problemit të mbingarkimit të klasëve me më shumë se 40 nxënës komuna e Çairit ka nisur punimet për zgjerimin e objektit të shkollës “Ismail Qemali” me 8 klasë të reja. Sipas drejtorisë, ndërtimi shtesë është zgjidhje e përkohshme sepse numri i nxënësve vazhdimisht është në rritje.

Ky problem është gjatë kohë. Klasat janë të stërngarkuara me nxënës. Nxënësit kanë pas nevojë që të kenë hapësira të reja që procesi mësimor të jetë më adekuat -tha Burbuçe Imeri, drejtore e Sh.f “Ismail Qemali”.

Projekti realizohet nga Komuna e Çairit mirëpo donator paraqitet një kompani private nga Shkupi. Pavarësisht se bëhet fjalë për investim privat, në hedhjen e gurthemelit morën pjesë zyrtarë të lartë të BDI-së.

Për momentin, në shkollën fillore “Ismail Qemali” mësojnë mbi 1500 nxënës. Investimi për realizimin e objektit shtesë nga kompania private kap shumën prej 25 milionë denarëve.

Melihate Rustemi

LEXO EDHE:

Back to top button