Shkolla tekstile dhe shkolla fillore e Sellcës edhe sivjet nuk do të përfundojnë me ndërtim
Gazetar:Bashkim Sulejmani
Nxënësit e shkollës së mesme tekstile dhe të shkollës fillore të fshatit Sellcë, edhe sivjet nuk do iu gëzohen bankave të shkollave në objektin e tyre të ri shkollor.
Nga komuna thonë se punimet po zhvillohen me intensitet të shtuar, megjithatë, sipas asaj që shihet në terren, ende është larg përfundimi i objekteve të shkollës së mesme tekstile, por edhe objektit të fillores në fshatin Sellcë të Tetovës.
Objektet, siç mund të shihen ende po vijojnë të ndërtohen në fazën e tyre të karabinasë, ndërsa faza e dytë, pra ajo e lyerjes dhe mobilimit, pritet të fillojnë kah fundi i vitit. Ndryshe nga tekstileja, Shkollës e Sellcës, pret shtim të mjeteve nga ana e Qeverisë, e cila për momentin ka lëshuar vetëm shtatë milion denarë, që të mund të projektohet muri mbajtës, e më pastaj të hapet edhe thirrja për ndërtimin e të njëjtit.
“Sipas Dinamikës së paraparë, mendojmë që deri në fund të vitit punimet të jenë të përfunduara, e sa i përket shkollës së Sellcës, Qeveria për këtë vit ka ndarë 7 milion denarë që duhet të bëhet edhe muri mbajtës si kusht që të zmadhohet kjo shumë dhe besoj që edhe ky projekt do jetë gati, do rritet shuma dhe do hapet furnizimi publik edhe për fazën e dytë. Pra të dy shkollat, në fillim të vitit të ardhshëm nxënësit e këtyre shkollave do nisin me mësim në këto objekte”, tha Albi Qamili, zëvendëskryetar i komunës së Tetovës.
Deri në ndërtimin e objektit të ri të Shkollës së mesme “Gjoçe Stojçeski”, apo shkollës tekstile, nxënësit e kësaj shkolle, mësojnë në shkollën fillore “Besa” në Reçicë të vogël, edhe atë një pjesë me prezencë fizike dhe një pjesë me mësim online. Ndërsa nxënësit e shkollës “Rilindja” të fshatit Sellcë, mësimet i vijojnë edhe më tej, pra nderi në ndërtimin e objektit të ri, në objektin e vjetër të shkollës, i cili është i papërshtatshëm, pa sallë sporti dhe mbi 70 vjet i vjetër.
Sa i përket objekteve të tjera shkollore, si fillore dhe ato të mesme, sipas organeve, kanë përfunduar gjitha përgatitjet për një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor. Kështu, nesër, në bankat e shkollës, do të ulen 840 filloristë si dhe mbi 1100 nxënës të shkollave të mesme. /alsat.mk








