Shkup, përplasje e armatosur mes dy grupeve

Shkup, përplasje e armatosur mes dy grupeve

Gazetar: Mefail Ismaili

Për më pak se një javë, edhe një incident i armatosur në Shkup. Në përplasjen e armatosur pas mesnate ka qenë i përfshirë edhe një punonjës i policisë. Ministria e Punëve të Brendshme në njoftimin zyrtar ka informuar se në afërsi të lagjes Radishan në Shkup, dy automjete i bllokuan rrugën një automjeti tjetër në të cilin udhëtonin tre persona, njëri prej të cilëve polic i cili nuk ka qenë në detyrë. Nga dy automjetet kanë dalë disa persona dhe kanë filluar t’i godasin personat që ndodheshin në automjetin e bllokuar. MPB-ja, njoftoi se nëpunësi policor, me iniciale P.P. ka shtënë disa herë në ajër me pistoletën zyrtare, derisa disa nga sulmuesit janë larguar. Dy nga sulmuesit, me iniciale N.B. dhe E.B., të cilët kanë qenë me automjet “BMW” janë arrestuar menjëherë pas incidentit. Policit të sulmuar dhe dy personave të tjerë u është ofruar ndihmë mjekësore në Qendrën klinike në Shkup. Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski tha se pret që së shpejti të arrestohen edhe sulmuesit tjerë.

“Ka persona të cilët me automjetin tjetër e kanë lëshuar vendin e ngjarjes dhe pres që së shpejti edhe ato do të arrestohen dhe do të dalin para drejtësisë me kualifikimin për dhunë. Kështu që pres që gjatë ditës do të përfundojnë të gjitha aktivitetet për pastrimin e këtij rasti. Në njërin nga automjetet ka pasur tre persona, dy prej tyre janë arrestuar dhe në automjetin tjetër dy persona”, tha Oliver Spasovski, Ministër i P. Brendshme.

Spasovski thotë se sipas informatave fillestare rasti i fundit nuk ka lidhje me vrasjen që ndodhi disa ditë më parë në Çarshi por ende po hetohet. Kreu i MPB-së tha se ka përparim në hetimin për zbardhjen e motiveve në rastin e vrasjes së dyfishtë javën e kaluar.

“Motivet janë përleshje kriminele të cilat janë të strukturave të caktuara. Gjithsesi se në mënyrë më të detajuar për motivet në fund do të tregojë më shumë hetimi, por do të jetë në fazë kur do të përgatiten të gjitha dëshmitë dhe kur do të mund të njoftojmë në opinion. Përsëri hetimin duhet ta bëjmë në nivel të institucioneve e jo në media”, shtoi ministri.

Më 6 mars, në një lokal në Çarshinë e Shkupit nga persona të maskuar u vranë dy persona, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur. Policia ka gjetur të djegur një automjet i cili dyshohet se është i vrasësve./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button