Shkupi, me mungesë të çezmave publike
Shkupi, me mungesë të çezmave publike

Gazetare: Ajnur Bafqari
Afrohen tek fontanat me ujë të bollshëm, për të bërë fotografi, por me vete mbajnë shishe me ujë që kanë blerë nëpër dyqane.. Ky është fati i qytetarëve të Shkupit dhe problem me të cilin ballafaqohen edhe turistët e huaj.
Nga njëra anë kemi shumë fontana, që u ndërtuan si pjesë e projektit Shkupi 2014, e që shërbejnë vetëm për pamje, por nga ana tjetër në sheshin e kryeqytetit mungojnë shatërvanët për ujë të pijshëm, nga ku qytetarët mund të furnizoheshin me ujë falas.
“Duhet të ketë më shumë shatërvanë për ujë të pijshëm se sa vetëm për t’i shikuar. Sheshin e kemi të mbushur plotë dhe duhet pak të lehtësohet”, u shpreh një qytetar.
“Mendoj se nuk ka…Çfarë të ju them, ky është pasqyrim i punës, kulturës. Për nevojat e njerëzve askush nuk sheh në këtë shtet”, tha një qytetar.
Se në kryeqytet ka mungesë të shatërvanëve për ujë të pijshëm, pajtohen edhe turistët dhe mërgimtarët që gjatë stinës së verës po qëndrojnë këtu.
“Unë mendoj se ju mungojnë fontanat për ujë të pijshëm, mendoj se keni nevojë për më shumë fontana përreth që njerëzit të mund të pijë ujë falas, sidomos ata qytetarë që nuk mund të blejnë ujë”, tha një qytetare.
“Nuk ka fontana për të pirë ujë”, u shpreh një qytetar.
Shatërvanët më të afërt me sheshin ndodhen tek “Parku i Gruas” dhe pas Urës së Gurit, në pjesën e Çarshisë së Vjetër të Shkupit. Nga Qyteti I Shkupit akoma nuk ka përgjigje, nëse planifikohet vendosja e më shumë çezmave të ujit nëpër sheshin e kryeqytetit.
Nga Qyteti i Shkupit thonë se nëpër të gjithë territorin ka më shumë se 250 çezma për ujë për pije prej të cilave 77 janë të reja. Nga atje nënvizojnë se çezmet janë vendosur afër fushave të lojrave për fëmijë, parqeve dhe vendeve të tjera ku ka frekuentim më të madh të qytetarëve, ndërsa shtojnë se është planifikuar vendosje e çezmave shtesë.
“Është planifikuar vendosja e çezmave shtesë për ujë të pijshëm në territorin e Qytetit të Shkupit në lokacione të përcaktuara sipas rregullave të komunikacionit dhe standardeve të instalimit në përputhje me rregulloret”, njoftojnë nga qyteti i Shkupit./Alsat.mk