“Shkupi-Veri” kërkon ndihmë të pakthyeshme

"Shkupi-Veri" kërkon ndihmë të pakthyeshme

Gazetar: Ile Petrevski

Qytetarët e Çairit dhe Butelit, të cilët në shtëpi përdorin ngrohje nga sistemi i ngrohjes “Shkup Veri”, çdo mëngjes zgjohen në pasiguri nëse shtëpia e tyre do të jetë e ftohtë apo e ngrohtë. Çdo sezon ngrohjeje, 500 amvisëri dhe 15 objekte publike kanë një problem serioz me ngrohjen. Para pak ditësh këta qytetarë dhe institucione mbetën dy ditë pa ngrohje, ndaj shtetit iu dhimbsën dhe vendosi në emër të vullnetit të mirë me mjete buxhetore të sigurojë ngrohje për 10 ditët e ardhshme. Qytetarët janë të revoltuar dhe fajësojnë çdo menaxhment që ka drejtuar ngrohtoren, ndërsa për udhëheqjen aktuale thonë se është shumë joserioz.

“Kjo me ngrohjen nuk ndodh vetëm këtë vit, kinse është kriza energjetike, prandaj po trillojnë histori të ndryshme. Vitin e kaluar edhe vitet e tjera, pikërisht kur duhet të përdoret më së shumti, pastaj e lëshojnë tre ditë, pastaj pesë ditë, pastaj e lëshojnë pak, pastaj nuk e lëshojnë, dhe askush nuk është përgjegjës për këtë. Është paguar çdo muaj gjatë gjithë vitit dhe tani na thonë, 300 denarë do u zvogëlojmë në faturën e janarit. Nuk keni nevojë të na zvogëlini mjete, duhet të blejmë kondicioner tani, ngrohës”, u shpreh një qytetar.

Ngrohtorja kërkon që shteti t’i japë fonde të pakthyeshme për këtë sezon të ngrohjes për të blerë gaz natyror me të cilin do të prodhojë energji termike. Por shteti nuk e pranon këtë dhe kërkon që të nënshkruhet marrëveshje që kredia eventuale të kthehet. Por, “Shkup-Veri” nuk i ka kthyer as paratë që i ka marrë nga shteti vitin e kaluar si ndihmë për blerjen e gazit natyror.

“Ky subjekt kërkon fonde të pakthyeshme, përkatësisht vlerëson se duhet t’i paguhet ndihmë financiare që nuk duhet ta kthejë, edhe pse SHA EMV të njëjtat mjete i ka borxh në buxhetin e shtetit”, thonë nga EMV.

Për ta bërë problemin edhe më të madh, përdoruesit e ngrohjes nuk mund të marrin informacion konkret nga ngrohtorja. Drejtori aktual i Shkup Veri, Kushtrim Ramadani, nuk iu përgjigjet mesazheve dhe telefonatave të Alsat-it për ta informuar opinionin se cilat janë planet dhe si do të zgjidhet ky problem./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button