Shoqata e të verbërve kërkon më shumë ndihmë

Shoqata e të verbërve kërkon më shumë ndihmë

Gazetar: Adnan Qaili

Me moton “Ne jemi të verbër, por jeni Ju ata që nuk na shihni” protestues nga i gjithë vendi u mblodhën para Qeverisë. Nga Shoqata e të Verbërve thonë se kjo është hera dytë brenda muajit, që dalin në protestë para godinës së ekzekutivit për të kërkuar të drejtat e tyre. Kriza ka prekur më së tepërmi kategoritë më në nevojë, që sipas tyre nuk mjafton ndihma e premtuar një herësh nga masat anti-krizë. Personat me nevoja të veçanta, të cilët e kanë të dëmtuar shikimin, rreth 3,500, kërkojnë rritje për 40% të ndihmës mujore, pasi që rritja çmimeve të prodhimeve ushqimore dhe energjisë elektrike ua ka vështirësuar edhe më tepër jetën.

“Paratë që i marrim nuk na mjaftojnë andaj është hera dytë që kërkojmë prej Qeverisë. Për momentin marrim 12 mijë denarë nuk dalin për asgjë, ato që i marrim shkojnë për rrymë dhe diçka për ushqim nuk na dalin as për 10 ditë. Do të rrimë këtu derisa të na plotësohen kushtet, patjetër të na thonë po”, tha Nexhat Bajrami, I verbër.

Nga shoqata kërkojnë që personat me shikim të dëmtuar të marrin ndihmë 40% e pagës mesatare dhe asistentët e tyre të paguhen me pagë të plotë ngaqë 4 orët në shërbim të tyre janë të pamjaftueshme. Ata thonë se autoritetet nuk u garantuan dhënien e pajisjeve ortopedike. Për shkop të bardhë, termometër dhe matësit për diabet e tension ende paguajnë privatisht.

“Jemi këtu për të kërkuar të drejtat tona sepse shohim që gjithçka është shtrenjtuar dhe ne ekzistojmë së pjesë e shoqërisë, si çdo person që ka nevoja edhe ne kemi më tepër. Të rritet për 40% shtesa për të verbëritë, po ashtu ndihma e garantuar minimale, kërkojmë që të na dhurojnë edhe pajisjet ndihmëse që i kemi më se të nevojshme”, u shpreh Sulltana Millosheva, E verbër.

Përfaqësuesit e protestës ishin në takim në Qeveri, por morën vetëm premtime. Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se duhen disa ndryshime ligjore, ku do të marrin pjesë edhe shoqatat e personave me aftësi të posaçme. Sipas tyre e drejta e ndihmës së garantuar minimale i takon një familje që është materialisht e pasiguruar dhe nuk zotëron prona dhe të drejta pronësore nga të cilat mund të sigurojë ushqimin./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button