Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Deçan, 2 Viktima dhe qindra të helmuar nga uji
Helmimi i qindra banorëve në Deçan të Kosovës ka bërë që kjo komunë të shpallë gjendje emergjente. Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”. Sipas të dhënave zyrtare, shqetësimet u shfaqën nga banorët e fshatrave Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Shëndetësisë, nga dita e shtunë e deri më sot në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan kanë kërkuar ndihmë shëndetësore rreth 1 mijë pacientë, ndërsa qindra prej tyre i kanë simptomat e njëjta të helmimit. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), ka bërë të ditur të hënën se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre kanë gjetur koloni të dyshimta të baktereve. Megjithatë, sipas drejtorit të Institutit testimet duhet të vazhdohen të bëhen në laborator dhe shkaku i saktë i këtij helmimi nuk është përcaktuar ende. Në anën tjetër, Prokuroria e Pejës, ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me shkaqet e këtij helmimi ndërsa Ministria e Shëndetësisë, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Deçanit që të mos konsumojnë ujin nga “Hidrodrini”, derisa të përcaktohet shkaku i helmimit. Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj në një konferencë për media një ditë më parë tha se janë duke bërë përpjekje maksimale për gjetjen e shkaqeve të këtij helmimi dhe deri më tani të gjitha dyshimet janë vetëm hipoteza. Ramosaj tha se ka dyshime edhe për një skemë të qëllimshme, por ai nuk dha më shumë informacione mbi këto dyshime, duke shtuar se me to duhet të merren organet e hetuesisë. Rastet e helmimit filluan që para dy ditëve, ku persona të shumtë kërkuan ndihmë në spital, pas shfaqjes së simptomave, ndërsa dyshimet janë te uji për shkak se këto fshatra furnizohen të gjithë nga i njëjti ujësjellës. Edhe banorët janë shprehur se rrjeti i ujësjellësit është i amortizuar dhe ka shumë probleme.
Melihate Rustemi








