Shqetësuese numri i fëmijëve që përdorin rrjetet sociale

Shqetësuese numri i fëmijëve që përdorin rrjetet sociale

Gazetar: Ardit Ramadani

Numri i fëmijëve përdorues të rrjeteve-sociale është çdo vit në rritje. Vetëm gjatë vitit të kaluar mbi 85 për qind e qytetarëve kanë surfuar disa herë në ditë në internet ndërsa sa më i madh është ky numër, aq më shumë rritet rreziku për radikalizim të të rinjve dhe vështirësohet kontrolli eventual i përdorimit të internetit nga ata.
Dy ditë më herët një 14 vjeçare në Shkup humbi jetën duke tentuar të incizojë një video në “Tik Tok”, sipas informacioneve jozyrtare, ajo ishte ngjitur në një cisternë për të kryer ndonjë “sfidë” që i është dhënë në këtë rrjet-social por kishte përfunduar me pasoja fatale.

Sociologu Lulzim Hamidi nga Këshilli Shtetërorë për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve potencoi se rrjetet-sociale kanë krijuar një “botë të re” për fëmijët e cila sipas tij, duket e rrezikshme dhe aspak e sigurt.

“Është shumë e rëndësishme që prindërit të kenë qasje te fëmija ku shkon, çfarë bë, çfarë përdorë, çfarë shëndeti ka, agresivitetin e tjerë. Rreth ndalesës eventuale nuk mund të them. Unë kam qenë gjithmonë kundër rrjeteve sociale sepse unë shoh fëmijë të ulët në një dhomë me katër qoshe, janë të zhytur në rrjetet sociale dhe nuk kanë kontakt me rrethin, ata janë në një botë tjetër. Momentalisht neve na duhet një qasje institucionale, e përgjithshme”, tha Lulzim Hamidi, sociolog.

Javë më herët Komisioni i BE-së u ndaloi punonjësve të tij të përdorin aplikacionin Tik Tok në telefonat e punës. Ndërsa kryeministri Kovaçevski nga ana tjetër paralajmëroi rregullim të shfrytëzimit ashtu siç duhet të rrjeteve-sociale nga ana e fëmijëve, përmes strategjisë për digjitalizim dhe strategjisë së medias.

“Natyrisht, në vendin tonë, në përputhje me strategjinë e digjitalizimit dhe strategjinë e medias, në të ardhmen do të mendojmë për përdorimin e mediave sociale, këtu nuk po flas për të gjitha, nuk po flas për disa kufizime, por për rregulloren që do të mundësojë shfrytëzimin e tyre për të avancuar shoqërinë, e jo për t’u përdorur për diçka që ne nuk dëshirojmë ta kemi si pasojë në shoqëri”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Megjithatë shteti edhe ata mjete që i ka në dorë për parandalimin e fenomeneve të tilla nuk i respekton plotësisht. Përkatësisht, edhe pse sipas Ligjit për drejtësinë e fëmijëve, komunat janë të detyruara të themelojnë këshilla komunal që do të punonin në parandalimin e krimeve të fëmijëve, atë e kanë themeluar nga 81 komuna vetëm 33, por, sipas informacioneve edhe aty ku janë të formuara këshillat, janë tërësisht jofunksionale. Lojërat elektronike përveç që ekspozojnë të rinjtë në rreziqe të ndryshme, kanë edhe pasoja të ndryshme psikologjike duke e ngritur nivelin e stresit, zbatim të sjelljes agresive si dhe uljen e pragut të tolerancës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button