Shqipëria do të pajiset me sistem raketor antitank

Shqipëria do të pajiset me sistem raketor antitank

Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të kenë pjesë të tyre sistemet raketore antitank “Javelin”. Lajmi e konfirmoi Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili tha se ky armatim vjen në kuadër të modernizimit të FA.

“Është në kuadrin e modernizimit të FA, rritjes së kapaciteteve tona, plotësimit të objektivave që Shqipëria ka në raport me NATO-n. Sistemi raketor antitank “Javelin” po prodhohet nga kompania amerikane, më e madhja në botë e industrisë ushtarake Lockheed Martin dhe ne kemi bërë porosinë tonë aty si pjesë e rrugëtimit tonë për forcimin e FA, modernizimit, rritjes së sigurisë dhe mbrojtjes territoriale të vendit tone. Nuk është se ka ndonjë kërcënim konkret qe mos të krijojmë panik, ne jemi një vend në NATO, ne kemi zgjidhur çështjen e sigurisë kombëtare, jemi të mbrojtur, sepse na mbron neni 5 i traktatit të NATO-s, sipas të cilit hapësira e NATO-s është e paprekshme, por ne natyrisht do të vazhdojmë të ndjekim ritmin e NATO-s për t’u forcuar si pjesë e një aleance defensive”, u shpreh ministri Peleshi.

Veç këtij sistemi, sipas Ministrit të Mbrojtjes, do të ketë edhe blerje të tjera apo donacione nga partneri strategjik i Shqipërisë, SHBA apo nga partnerë të tjerë në NATO.

I pyetur në lidhje me kërkesën për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës në NATO, ku Shqipëria është vend anëtar, Ministri i Mbrojtjes tha se vendi ynë do të përkrahë linjën e Aleancës.

“Ne jemi një aleat i vogël në NATO, por që gjithmonë jemi dhe do të jemi në linjë me partnerët tanë strategjikë, SHBA të cilët janë dhe orientuesit të linjës që ne përkrahim në raport me zhvillimet e NATO-s. Një nga politikat e NATO-s që ne e mbështesim është politika e “dyerve të hapura”, kështu që Suedia dhe Finlanda janë dy shtete sovrane të pavarura me standarde të larta politike apo ligjorë, por dhe standardeve ushtarake”, theksoi Ministri i Mbrojtjes.

Javelin është një sistem raketor që ka filluar të përdoret që nga viti 1989 dhe që pritet të përdoret së paku deri në vitin 2050, sipas kompanisë. Ajo kushton rreth 250 mijë dollarë për copë por është në gjendje të hedhë në erë një tank që kushton shumëfish më shtrenjtë.

Kompania prodhuese ka marrë kërkesa të shumëfishta nga vende të ndryshme të botës pas suksesit të demonstruar të këtij sistemi në luftën e Ukrainës, ku ushtria e Ukrainës arriti të mposhtë tanket e panumërta ruse falë efikasitetit të këtij sistemi.

LEXO EDHE:

Back to top button