“Shqipëria nuk është në shitje!” – Protestat për Zvërnecin përhapen në Europë

Vijojnë protesta në mbrojtje të Zvërnecit në Shqipëri. Me parullat ‘Shqipëria nuk është në shitje’, qindra emigrant shqiptarë protestuan këtë të diel në Bruksel, Gjenevë dhe Londër. Në Bruksel, tubimi u mbajt para godinës së Parlamentit Europian, ku organizatorët lexuan edhe një deklaratë me kërkesat drejtuar Qeverisë shqiptare. Dhjetëra shqiptarë u mblodhën para godinës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë të Zvicrës. Protestat vijuan edhe në Londër, ku shqiptarët u mblodhën para godinës së Ambasadës Shqiptare me pankarta ‘Shqipëria nuk është në shitje’.

Ndërkaq mijëra protestues dolën në rrugë në Tiranë për të shtatën ditë me radhë për të kundërshtuar resortin e planifikuar që lidhet me Ivanka Trump, vajzën e presidentit amerikan Donald Trump, dhe bashkëshortin e saj, Xhared Kushner. Protestuesit thonë se projekti mund të dëmtojë Lagunën e mbrojtur të Zvërnec-Nartës, një zonë e njohur për biodiversitetin e pasur dhe rëndësinë e saj mjedisore. Ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe anulimin e projektit të lidhur me familjen Trump.

Kryeministri Shqiptar Rama këmbëngul se aktualisht nuk ekziston ende një projekt konkret për zhvillimin e zonës. Sipas tij, koncepti që po studiohet synon jo vetëm zhvillimin turistik, por edhe përmirësimin e treguesve mjedisorë dhe të biodiversitetit. Rama pretendon se, bazuar në vizionin aktual, zhvillimi i zonës do të sillte rreth 25% më shumë pemë dhe hapësira të gjelbra sesa ekzistojnë sot, si dhe përmirësime të matshme në disa tregues të biodiversitetit.

“Mbase këtë doni. Unë nuk besoj që këtë doni, por mbase ky është edhe qëllimi, që të jetojmë vetëm me flamingot, të cilët 99.99% e atyre që i mbrojnë s’i kam parë ndonjëherë me sy. Nuk e di. Shikojeni këtë punë. Në ndërkohë që projekti do të bëhet, që të jemi shumë të qartë. Projekti do të bëhet sepse është një e mirë e madhe për ekonominë tonë. Është një bekim i madh për Vlorën dhe është një kapërcim i madh epokal për Shqipërinë turistike dhe për Shqipërinë europiane” – Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

LEXO EDHE:

Back to top button