“Shqipja”, lëndët e Inspektoratit të Gjuhëve të bllokuara në Gjykatë
“Shqipja”, lëndët e Inspektoratit të Gjuhëve të bllokuara në Gjykatë

Gazetar: Suad Bajrami
Televizioni Alsat ka siguruar të dhëna ekskluzive që hedhin dritë mbi dështimin e Gjykatave në gjobitjen e shkelësve të gjuhës shqipe, të dorëzuara nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve: nga viti 2024 kur nisi me dorëzimin e lëndëve e deri në qershor 2025, Inspektorati ka çuar në Gjykatë vetëm 49 lëndë që përfshijnë 50 funksionarë publikë – të gjithë për shkelje të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, konkretisht për mosrespektimin e gjuhës shqipe. Por vetëm një vendim gjykate është dhënë deri tani – një gjobë ndaj drejtoreshës së Qendrës për Punë Sociale në Tetovë, Vesna Avramovska – e cila gjithsesi është ankuar dhe rasti ndodhet në Gjykatën e Apelit në Gostivar. Të gjitha lëndët e tjera janë të bllokuara. Alsat mëson se një pjesë e gjyqtarëve i kanë kthyer për rishqyrtim disa lëndë, me arsyetimin se përmbajnë “parregullsi teknike”. Por, pas këtij justifikimi fshihet një realitet më i thellë: jo vetëm mungesa e praktikës gjyqësore për ndëshkim, por edhe mungesa e vullnetit dhe barabarësisë e ka bërë gjyqësorin pasiv ndaj shkelësve të ligjit. Nga inspektimet në terren rezulton se problemi është edhe më i gjerë: pavarësisht se i themeluar në 2019, Inspektorati nisi punën konkrete në qershor të vitit 2021, dhe në harkun kohor të tre viteve, deri në qershor 2024, nga 357 inspektime janë konstatuar shkelje në 246 raste – pra në 70% të institucioneve të kontrolluara.
Shkaku kryesor i dështimit në ndëshkimin e shkelësve është vetë ligji dhe dispozitivi ndëshkues i cunguar i institucionit. Inspektorati nuk ka kompetenca për të shqiptuar gjoba. Ai mund të japë vetëm një vërejtje dhe më pas, në rast të mospërmirësimit, ta dorëzojë lëndën në Gjykatën Penale në Njësitin për Kundërvajtje – e cila jo vetëm që mban peng procesin, por nuk dëshiron të vendosë precedent penalizimi. Në mungesë të fuqisë ligjore për të gjobitur, Inspektorati detyrohet që të bind gjykatësin me prova që t’i gjobisë shkelësit.
Ligji për përdorimin e gjuhëve, Agjencia dhe Inspektorati ishin projekte politike të BDI-së, por sot të tria janë të kontestuara për shkak të mungesës së kompetencave, burimeve dhe zbatimit praktik. Ligji kontestohet në Gjykatën Kushtetuese, Agjencia për një kohë të gjatë nuk kishte as kuadër e as zyra, dhe as sot s’mund të mbulojë të gjithë fushëveprimin e saj për shkak të kapaciteteve të munguara, ndërsa Inspektorati, me buxhet qesharak, me mungesë kuadri por edhe me rroga të ulëta, nuk e kryente asnjëherë plotësisht funksionin. Sot, nga karrigia e opozitës, BDI-ja kundërshton vendosjen e Inspektoratit nën Ministrinë e Drejtësisë, ndonëse më herët kishte votuar ligjin për riorganizimin e Qeverisë. Duke bërë politikë ditore se me këtë lëvizje humbet “subjektiviteti juridik” i Inspektoratit, institucioni mbetet i bllokuar duke lënë pa rroga prej nëntorit të kaluar të gjithë punonjësit e saj. Qeveria e re premton zhbllokim të situatës dhe ndryshime të mëvonshme ligjore, që do t’i jepnin Inspektoratit jo vetëm rrogat, por edhe kompetenca të drejtpërdrejta për gjoba. /Alsat.mk