Shtëpia e Bardhë: 1.3 trilionë dollarë për koronavirusin, Pelosi thotë se nuk mjafton


Presidenti Donald Trump është i gatshëm të nënshkruajë një paketë lehtësuese ndaj pasojave të koronavirusit prej 1.3 trilionë dollarësh, njoftoi të premten një ndihmës i lartë i tij, por kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha se shuma nuk ishte e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e popullit amerikan.

Trump tha më vonë se zonja Pelosi ishte e interesuar vetëm për shtetet e drejtuara nga demokratët, duke hedhur dyshime mbi mundësitë për të ringjallur bisedimet e ngecura për miratimin e një pakete të re stimuluese për ekonominë e vendit.

Shifra e re u paraqit nga shefi i Personelit në Shtëpinë e Bardhë Mark Meadows, çka shënon një rritje prej 300 miliardë dollarësh nga oferta fillestare e Shtëpisë së Bardhë dhe e Senatit të udhëhequr nga republikanët prej 1 trilion dollarësh. Pas tre javësh, bisedimet në Kongres ndaluan pa një marrëveshje mbi paketën që do të ndihmonte amerikanët të cilët po vuajnë pasojat e pandemisë së koronavirusit.

Meadows tha se Presidenti republikan ishte “tashmë i gatshëm të nënshkruajë një paketë prej 1.3 trilionë dollarësh”. Por disa orë më vonë, nëpërmjet një deklarate zonja Pelosi përsëriti thirrjen e saj për një shumë prej 2.2 trilionë dollarësh duke shtuar se oferta e zotit Meadow nuk do të plotësonte nevojat e punonjësve dhe familjeve amerikane. Zonja Pelosi tha ndër të tjera se republikanët “po hedhin poshtë fondet e nevojshme për testimin dhe gjurmimin për të ndalur përhapjen e virusin dhe rihapjen e sigurt të shkollave dhe ekonomisë”./KosovaPress/

LEXO EDHE:

Back to top button