Shtetet e Bashkuara po monitorojnë akuzat për ekzekutime në Ukrainë

Shtetet e Bashkuara po monitorojnë akuzat për ekzekutime në Ukrainë

E dërguara e posaçme amerikane për krimet e luftës tha të hënën se Shtetet e Bashkuara po monitorojnë akuzat se forcat ukrainase kanë ekzekutuar në masë ushtarë rusë dhe tha se të gjitha palët duhet të përballen me pasojat nëse bëjnë abuzime në konflikt.

Ministria ruse e Mbrojtjes citoi të premten videot që qarkullojnë në mediat sociale, ku aludohet se shfaqen ushtarë ukrainas duke ekzekutuar rusët e kapur rob.

“Po e ndjekim sigurisht këtë nga shumë afër”, u tha gazetarëve gjatë një informimi nëpërmjet telefonit zonja Beth Van Schaack, ambasadorja e caktuar nga Shtetet e Bashkuara për drejtësinë penale globale.

“Është shumë e rëndësishme të theksojmë se ligjet e luftës vlejnë për të dyja palët njësoj: si për vendin agresor, ashtu edhe për vendin që po mbrohet, dhe vlen në përmasa të barabarta”, tha ajo, duke shtuar se “të gjitha palët në konflikt duhet t’i përmbahen ligjit ndërkombëtar, ose të përballen me pasojat”.

Në video duket se shfaqen ushtarë rusë të shtrirë në tokë pas dorëzimit. Në vazhdim fillojnë të shtëna nga armë automatike dhe në video shfaqen rreth 12 trupa të vrarësh.

Zëvendës kryeministri ukrainas njoftohet të ketë thënë se Ukraina do ta hetojë incidentin. Komisioneri ukrainas për të drejtat e njeriut, Dmytro Lubinets, tha se videot duket se tregojnë “një kapje robërish të inskenuar”, ku forcat ruse nuk kanë qenë realisht duke u dorëzuar.
Rusia është akuzuar për krime të shumta lufte që kur filloi sulmin ndaj Ukrainës në muajin shkurt, përfshirë nëpërmjet një sistemi të ashtuquajtur “kampe filtrimi” për të zhvendosur ukrainasit nga zonat e pushtuara drejt Rusisë. Rusia ka mohuar akuzat dhe ka akuzuar Ukrainën dhe mbështetësit e saj në Perëndim se ka fabrikuar akuzat.

Ambasadorja Van Schaack tha se shkalla e kriminalitetit e shfaqur nga ana e forcave ruse ishte “e jashtëzakonshme”, krahasuar me akuzat ndaj forcave ukrainase, si dhe vuri në dukje se palët kanë reaguar ndryshe nga njëra-tjetra kur janë shfaqur akuza për akte mizorie.

“Rusia përgjigjet pashmangshmërisht me propagandë, mohime, keqinformim dhe dezinformim, ndërsa autoritetet ukrainase përgjithësisht kanë pranuar abuzimet dhe i kanë denoncuar ato, si dhe janë zotuar t’i hetojnë”, tha zonja Van Schaack./Voa

LEXO EDHE:

Back to top button