Shtetet e Gjirit shtojnë presionin ndaj SHBA-së për t’i dhënë fund konfliktit me Iranin

Shtetet e Gjirit shtojnë presionin ndaj SHBA-së për t’i dhënë fund konfliktit me Iranin

Teksa tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po rriten, dilema për presidentin Donald Trump duket e qartë: të kërkojë një dalje të shpejtë me “fitore”, apo të dyfishojë përfshirjen ushtarake. Trump ka deklaruar se operacionet mund të zgjasin edhe disa javë, por mbetet pyetja nëse SHBA-të dhe aleatët e tyre mund ta përballojnë një konflikt të zgjatur.

Para nisjes së përshkallëzimit, burime nga Pentagoni paralajmëruan se forca e grumbulluar në rajon kishte kapacitet zjarri të mjaftueshëm për një ose dy javë në maksimum. Ndërkohë, raportime sugjerojnë se shtetet e Gjirit po ushtrojnë presion ndaj Uashingtonit për t’i dhënë fund konfliktit sa më shpejt, për shkak të rënies së rezervave të sistemeve të mbrojtjes ajrore, shkruan Sky News.

Lufta konsiderohet asimetrike. Sisteme si MIM-104 Patriot – me kosto miliona dollarë – përdoren për të rrëzuar dronë që kushtojnë vetëm mijëra, një raport që e bën të vështirë mbajtjen e ritmit për një kohë të gjatë.

Strategjia e Iranit për të goditur në drejtime të shumëfishta ka shtuar presionin mbi aleatët rajonalë të SHBA-së. Nëse konflikti zgjerohet, vende si Arabia Saudite mund të përfshihen drejtpërdrejt. Por aktualisht, kjo qasje po arrin të konsumojë burime të konsiderueshme të kundërshtarëve të Teheranit.

Ka ende shumë të panjohura: sa shpejt mund të përforcojë SHBA-ja kapacitetet e saj? A po përgatitet Izraeli për një fazë tjetër që mund të nxisë destabilizim të brendshëm në Iran? Deri tani, nuk ka shenja të qarta të një skenari të tillë.

Nëse objektivi i SHBA-së dhe Izraelit është ndryshimi i regjimit, atëherë për Iranin mjafton të mbijetojë për ta shpallur veten fitues. Por mbajtja e një fushate të zgjatur ajrore ka kosto të larta: rrezik për jetët e ushtarëve, ndikim të fortë në ekonominë globale dhe rënie të mbështetjes së brendshme për një tjetër luftë të huaj.

Çdo konflikt ka kufijtë e vet. Nëse regjimi iranian qëndron në këmbë kur të arrihet ai kufi, dilema për Uashingtonin do të bëhet edhe më e mprehtë: të tërhiqet apo të përshkallëzojë më tej?

LEXO EDHE:

Back to top button