Shtetet evropiane po përgatiten për procesin e vaksinimit kundër Kovid-19

Evropa po bëhet gati për të nisur procesin e vaksinimit. Shtetet e mëdha kanë nisur hartimin e strategjive, derisa presin aprovimin nga Parlamenti Evropian i cili duhet të konfirmojë llojin e vaksinës. Franca planifikon që faza e parë të nisë në janar, ndërsa si fillim do të jepet në shtëpitë e pleqve ndërsa më pas edhe punonjësve shëndetësorë, si dy kategori më të rrezikuara nga Kovid-19.“Në pranverë pritet të fillojë vaksinimi i gjithë popullatës”, ka deklaruar shkurt kryeministri francez Zhan Kasteks.

Strategjinë e njëjtë do ta ndjekë edhe Portugalia. Autoritet kanë njoftuar se nga janari deri në prill pritet vaksinimi i 1 milion qytetarëve, kryesisht kategori të rrezikuara. Si fillim Portugalia do të ketë në dispozicion 800 mijë doza.
Përtej optimizmit, kompanitë farmaceutike kanë njoftuar për kapacitetet kufizuese të vaksinës. Vaksina më efikase e kompanisë Pfizer&BioNTech si pasojë e problemeve në zinxhirin e furnizimeve, këtë vit do të prodhojë 50 për qind më pak vaksina nga objektivi i paraparë, që nënkupton nga 100 milion vaksinat e parapara, Pfizer në treg do të nxjerrë vetëm 50 milion. Arsye për këtë sipas kompanisë janë vonesat në provat klinike. Megjithëse akoma nuk është autorizuar, autoritet në SHBA paralajmërojnë zyrtarizmin e saj gjatë muajit dhjetor.

Ndërkohë Facebook njoftoi se do t’i fshijë shkrimet që përmbajnë dezinformata në lidhje me vaksinat kundër koronavirusit.

“Ne do të largojmë pretendimet e rreme se vaksinat kundër COVID-19 përmbajnë mikroçipa, që nuk është e vërtetë dhe teoritë konspirative për të cilat ne e dimë se nuk janë të vërteta, siç është pretendimi se një pjesë e caktuar e popullatës po përdoret pa pëlqimin e tyre për të testuar sigurinë e vaksinës”, thuhet në njoftimin e Facebook.

Ditë më parë, autoritetet në Britani të Madhe autorizuan vaksinën Pfizer duke u bë vendi i parë në botë i cili vë në përdorim vaksinën kundër Kovid-19. Nga ana tjetër, kompania amerikane Moderna ka njoftuar se nga janari deri në prill të vitit 2021 do të shpërndajë 125 milion doza. OKB propozon që vaksina të vlerësohet e “mirë e përgjithshme globale” dhe të shpërndahet pa pagesë në të gjitha vendet e botës.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button