Shteti i ka borxh vetes gati 400 milionë euro

Shteti i ka borxh vetes gati 400 milionë euro

Gazetar: Ile Petrevski

Institucionet shtetërore dhe kompanitë që janë nën ombrellën shtetërore po zhyten edhe këtë vit në borxhe të reja të mëdha, shkruan Alsat.

Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se ndërmarrjet dhe institucionet shtetërore vazhdojnë me avazin e vjetër. Ata në tremujorin e parë të këtij viti arritën të grumbullojnë borxh prej 392 milionë eurove.

Në krye të listës së debitorëve janë vetëqeverisjet lokale, me ndërmarrjet publike komunale. Borxhi i tyre ndaj shtetit është gati 137 milionë euro. Kompanitë shtetërore, shoqëritë tregtare në pronësi shtetëtore, dhe ndërmarrjet publike kanë akumuluar borxh prej 134 milionë eurosh në tre muajt e fundit.

Institucionet publike shëndetësore janë në borxh prej 86 milionë eurosh. 26 milionë euro i kanë borxh shtetit edhe organet rregullatore.

Borxhe ndaj shtetit

Komunat dhe ndërmarrjet e tyre publike 136,9 milionë euro

Ndërmarrjet publike dhe shoqëritë tregtare 134 milionë euro

Institucionet shëndetësore publike 85,7 milionë euro

Organet rregullatore 26 milionë euro

Komuna e Tetovës ka vite që është debitor-rekorder ndaj shtetit në mesin e pushteteve lokale. Borxhi i kalon 13 milionë euro, por nuk është i plotë sepse në atë shumë nuk përfshihen borxhet e ndërmarrjeve publike komunale. I dyti me borxh është Ohri me 8,5 milionë euro, i ndjekur nga Gostivari me 6,5 milionë euro.

Nga ndërmarrjet publike borxhin më të madh ndaj shtetit e ka Hekurudha e Maqedonisë – Transporti, 67,5 milionë euro, pasuar nga Hekurudha – Infrastruktura me 23,3 milionë euro. EMV ka rreth 17 milionë  euro borxhe. Qeveria në disa raste tashmë ka mbuluar borxhet nga buxheti i shtetit, shkaku i veprimtarisë joekonomike të komunave, institucioneve publike dhe kompanive shtetërore./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button