Vendet e Ballkanit dhe Bashkimi Evropian kërkojnë alternativë ndaj gazit rus në Sofje

Vendet e Ballkanit dhe Bashkimi Evropian kërkojnë alternativë ndaj gazit rus në Sofje

Gazetare: Andrea Cobanova

Ministrat e Ekonomisë nga rajoni dhe më gjerë në një takim në Sofje krijuan platformë rajonale të furnizimit me gaz pasi Gazpromi i Rusisë ndërpreu furnizimet drejt Bullgarisë. Platforma synon jo vetëm të gjejë zgjidhje për të zëvendësuar gazin rus, por edhe të reduktojë varësinë nga nafta ruse. Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi theksoi se vendi do të mbështesë plotësisht iniciativat që do të dalin nga kjo platformë.

“Ne mbështesim të gjitha iniciativat dhe projektet që do të thellojnë bashkëpunimin mes dy vendeve, por edhe iniciativat rajonale siç është interkonektori me Greqinë, dhe krahas shqyrtimit të mundësive për rritjen e kapaciteteve ekzistuese, duke qenë se Maqedonia nuk ka kapacitete për magazinimin e gazit të lëngshëm”, tha Kreshnik Bekteshi – Ministër i Ekonomisë.

Zgjidhja duhet të gjendet sa më shpejt sepse do të vijë dimri, theksoi ministri bullgar i energjetikës.

“Grupi i punës, në të cilin merr pjesë edhe Komisioni Evropian, do të ketë vendim afatgjatë dhe do të dalë me të gjithë skenarët dhe propozimet që do të komentohen së shpejti. Duke qenë se në fund të muajit prill struktura e prokurimit ndryshoi krejtësisht papritur dhe duhej të ndodhnin shumë zgjidhje alternative, kërkohet bilanc që të mos ketë ndryshime drastike në çmim”, u shpreh Aleksandër Nikollov – Ministër i Energjetikës i Bullgarisë.

Gazi i Azerbajxhanit është alternativa e parë që mund të zëvendësojë atë rus. Ministri i Energjetikës i Azerbajxhanit ka thënë se vendi i tij është gati të dyfishojë furnizimet e tij në BE me më shumë se 10 miliardë metra kub.

“Në katër muajt e parë të këtij viti, Evropa mori 3,5 miliardë metra kub gaz nga Azerbajxhani. Nga këto, 3,1 miliardë metër kub shkuan në Itali, 0,3 në Greqi dhe 0,1 miliardë në Bullgari. Nëse dërgesat aktuale vazhdojnë, ne presim që eksportet tona të gazit në Evropë të kalojnë 10 miliardë metra kub deri në fund të vitit”, tha Parviz Shahbazov – Ministër i Energjetikës së Azerbajxhanit.

Deri në fund të majit, Bashkimi Evropian duhet të miratojë një plan në të cilin do të ndërmarrë hapa konkretë për të reduktuar varësinë e tij nga gazi rus./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button