Shtrati i lumit në fshatin Poroj në Tetovë nuk mirëmbahet fare

Shtrati i lumit në fshatin Poroj në Tetovë nuk mirëmbahet fare

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Shtrati i lumit të fshatit Poroj dalë ngadalë po rimbushet me mbeturina, ndërsa erozioni i tokës ka bërë që shtrati i lumit të bllokohet në disa vende pothuajse tërësisht, shkruan Alsat.

Mirëmbajtje nuk ka as nga fshati, as nga komuna e as nga Ministria e Ekologjisë, edhe përkundër faktit se, pikërisht ky lum ishte shkaku i shkatërrimit të mijëra hektarëve tokë të mbjellë, shtëpive dhe bizneseve të banorëve të Porojit, në vërshimet që ndodhën shtatë vite më parë.

Asokohe, pushteti lokal dhe ai qendror, e vizituan disa herë këtë fshat, duke premtuar pareshtur se do të bëjnë diga përgjatë lumit për mbrojtjen e banorëve nga vërshimet, dhe do pastrojnë rregullisht shtratin e lumit, por ashtu sikurse shumë premtime të tjera, edhe këto mbetën vetëm fjalë.

Banorët ankohen se afrimi i vjeshtës sjell edhe frikën dhe kokëdhimbjet për ta, secilën herë kur mbi fshat bie shi, duke kaluar edhe natë pa gjumë, vetëm e vetëm të mos i zënë vërshimet pa përgatitur.

“Asgjë s`kanë bë hiç. Vetëm kur ka zgjedhje ofrohen premtojnë do bëjmë këtë do bëjmë atë njëjtë avazi i vjetër”, thotë një banor.

“Asgjë hiç s’kanë bë aspak. S’di çka tët them, asgjë nuk kanë punuar deri më tani. Shkoni tek ura lartë dhe shiheni si është zënë sërish komplet është zënë”, shprehet një banor tjetër.

“Ka premtime se do vijnë nga Unioni Evropian gjoja se do e marrin përsipër. Unë kam qenë këshilltar që në kohën e komunës së Xhepçishtit dhe nuk është biseduar për këtë problem asnjëherë. Si banor s’kemi mundësi ta përballojmë këtë, ndërsa shteti i largohet gjithnjë kësaj. Njerëzit janë mësuar, vetëm shikojnë kah qielli se mos ketë të reshura të vjen diç më e keqe sepse ne që jemi më të rritur e dimë çka është rreziku, këta të rinjtë se dinë. Jemi mësuar më me premtime, Poroji çdo gjë që e ka bë e ka bë vetë”, thekson një banor.

“Që fatkeqësia të jetë edhe më e madhe, një pjesë e banorëve të Porojit siç duket kanë harruar shpejtë atë që ndodhi në vitin 2015 edhe përkundër faktit që lumi nuk pastrohet rregullisht në shtratin e tij kanë filluar që të hedhin  edhe mbeturina duke ngushtuar kështu shtratin e lumit në këtë vend, ku për fat të keq ende nuk është bë kompensimi i tërësishëm i dëmeve nga fatkeqësia e vitit 2015 dhe 2017”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.

Pyetëm edhe në Qeveri, për atë se, kur pritet të fillojë instalimi i digave në këtë lum, që u premtua kohë më parë, por pa përgjigje. Ndërsa pushteti lokal, topin e hedh tek Qeveria.

Projekti, thonë nga komuna e Tetovës, është tejet i kushtueshëm dhe komuna nuk ia del dot me financat e veta të bëj digat nga fshati Xhermë e deri në pjesën e poshtme të lumit në fshatin Poroj.

Ardhja e tepruar e ujit në këtë lum, nuk rrezikon vetëm banorët e Porojit, por edhe banorët e fshatrave Pollaticë dhe Trebosh, ku edhe përfundon lumi, shpesh në arat e mbjella të këtyre banorëve./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button