​Kosova me mbi 25 përqind më shumë turistë sesa vitin e kaluar

​Kosova me mbi 25 përqind më shumë turistë sesa vitin e kaluar

Këtë vit Kosova ka shënuar rritje të numrit të vizitorëve nga e gjithë bota. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar deri më tash, ka pasur rritje prej mbi 25 përqind të vizitorëve, thotë kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti. Ai apelon institucionet shtetërore për zhvillim të infrastrukturës në mënyrë që vendi të tërheq sa më shumë turistë.

Hoti për KosovaPress thotë se këtë vit, aktivitetet kulturore si “Manifesta”, Sunny Hill” dhe “Dokufest” kanë ndikuar në rritjen e numrit të turistëve në vend.

“Jemi duke punuar për çdo ditë për t’i ngritur këto kapacitete, institucionet e Republikës së Kosovës duhet të punojnë shumë më tepër sa i përket pjesëve të infrastrukturës dhe bizneset pra komunitetet të punojnë në zhvillimin e produkteve dhe të shërbimeve të cilat janë me vlerë jashtëzakonisht të madhe. Pra ne bashkërisht qoftë institucionet qoftë akterët tjerë duhet të punojmë bashkërisht me qëllim që të ofrojmë kushte sa më të përshtatshme për një zhvillimi sa më të madh të turizmit dhe tërheqjes sa më të madhe të turistëve për ta vizituar Kosovën”, shton ai.

Sa i përket situatës me pandeminë COVID-19 dhe rritjes së rasteve, Hoti thotë se nuk ka pasur ndonjë problem për ardhjen e vizitorëve nga jashtë.

 

Ai thotë se përmes bashkëpunimeve ndërkombëtare, synojnë të shkollojnë edhe të rinjtë në fushën e turizmit.

 

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) para disa ditësh ka publikuar Statistikat e Hotelerisë në Kosovë për muajin maj 2022, sipas të cilave del se 32 mijë e 444 persona kanë vizituar hotelet gjatë kësaj periudhe.

LEXO EDHE:

Back to top button