Shtrenjtimet godasin standardin: Hristijan Mickoski paralajmëron rritje të inflacionit, pa masa të reja pas shtrenjtimit të karburanteve

Gazetar: Angel Dimovski

Çmime më të larta, paga më të ulëta. Kryeministri Hristijan Mickoski pret rritje të inflacionit prej një për qind në nivel mujor. Sipas tij, trendet në Evropë do të reflektohen edhe në vendin tonë.

“Nuk pres të jetë më i lartë se 1%, po flas për inflacionin mujor në raport me muajin mars. Kështu që sa më shpejt të stabilizohen gjërat, të përfundojë konflikti në Iran, të hapet ngushtica dhe të mund të kemi më shumë parashikueshmëri në kuadër të zhvillimeve globale,” tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Pas rritjes së djeshme të çmimit të karburanteve për 2 deri në 2,5 denarë, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se për momentin nuk planifikohen masa të reja.

“Kemi akciza të ulura, kemi TVSH të ulur në rastin e karburanteve, gjë që i kushton mjaft buxhetit në këto më shumë se 60 ditë, por rezultati i gjithë kësaj është karburanti më i lirë në rajon. Ajo që ne po bëjmë është që me të gjitha masat që kemi në dispozicion të përpiqemi t’i mbrojmë qytetarët. Kriza është globale, kohërat janë të vështira.” deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, inflacioni i matur përmes indeksit të kostos së jetesës në mars 2026, në krahasim me shkurtin është 0,7 për qind. Analizat e Bankës Popullore tregojnë se inflacioni në vend pritet të arrijë mesatarisht nivelin prej 3,6 për qind në vitin 2026, para se të ulet në rreth 3 për qind në vitin 2027. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button