Shtrenjtimi i energjisë elektrike, Kovaçevski: s’do të lejojmë rritje të madhe

Gazetar: Ile Petrevski

Fakti që amvisëritë do të paguajnë fatura më të larta të energjisë elektrike në gjashtë muajt e ardhshëm nuk është më dilemë. Këtë e konfirmoi drejtori i EMV-së Vasko Kovaçevski. Por, ai siguron se çmimi i energjisë elektrike do të rritet pak.

“Ajo që ne po bëjmë në këtë moment është që të ulim kostot e kompanisë për 15 për qind shtesë dhe në të njëjtën kohë të rrisim prodhimin për 20 për qind shtesë. Do të mund të arrijmë çmime dukshëm më të ulëta në mënyrë që eventualisht t’i mundësojmë EVN Home që të kërkojë çmim nga rregullatori, gjegjësisht të marrë një çmim që do të nënkuptojë rritje të lehtë të çmimit për qytetarët, deklaroi Vasko Kovaçevski, drejtor i EMV-së.

EMV duhet të dorëzojë ofertë në tenderin e EVN Home deri më datën 24 të këtij muaji. Më pas, obligimi ligjor i centraleve të shtetit është që të sigurojnë për këtë vit 60% të rrymës së nevojshme për furnizuesin universal gjegjësisht për amvisëritë dhe kompanitë e vogla. Nuk përjashtohet mundësia edhe në periudhën në vijim, EMV të sigurojë 100% të rrymës së nevojshme, me qëllim që qytetarët të mos kenë fatura të larta. Në tregun e lirë në bursat ndërkombëtare, një megavat/orë kushton rreth 250 euro. Gjashtë muajt e fundit, EMV ia ka shitur EVN-së rrymën për 41 euro, ndërsa cili do të jetë çmimi për gjashtë muajt e ardhshëm do të mësohet deri në fund të muajit ndërsa ky çmim do të ndikojë në çmimin që do ta paguajnë qytetarët. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button