Shuhen të gjitha shpresat për çeljen e negociatave mes Maqedonisë dhe BE-së këtë vit

Bashkimi Evropian nuk arriti ta miratojë as kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut e as konkluzionet për zgjerim. Sllovakia, Çekia dhe Austria bllokuan propozim-konkluzionet e zgjerimit, me arsyetimin se “janë bërë lëshime të tepërta ndaj Bullgarisë”. Tre shtetet anëtare vlerësojnë se përfshirja e kontekstit historik në dokumentet zyrtare të Bashkimit Evropian krijon një precedent të ri dhe komplikon zgjerimin e mëtejshëm të Unionit. Andaj sipas tyre, duhet më shumë kohë për t’i harmonizuar konkluzionet në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme. Në propozim-konkluzionet të cilat gjithsesi kaluan mbrëmë në Këshillin e ambasadorëve, ishin inkorporuar kërkesat bullgare.

Propozim-konkluzion për zgjerimin
“Patjetër t’i jepni fund deklaratave dhe veprimeve që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet e mira ndër-fqinjësore. Këshilli i BE-së rikujton Marrëveshjen e Prespës mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe Marrëveshjen për marrëdhënie të mira fqinjësore mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe thekson rëndësinë e zbatimit të tyre. Këto dy hapa në mënyrë efikase duhet t’i japin fund të gjitha pretendimeve, bazuar në interpretim të gabuar të historisë.”

Qeveria shprehu zhgënjimin e qytetarëve ndaj BE-së, e cila shkaku i vetos bullgare nuk arriti ta zhbllokonte fillimin e negociatave për anëtarësim me vendin. Përmes një komunikate, ekzekutivi kritikoi Unionin se ka bërë gabim gjeostrategjik, i cili do të ketë pasoja.

Qeveria
“Ne reflektuam, por BE-ja nuk i mbajti premtimet dhe në këtë moment nuk po e marrim përgjigjen që meritojmë. Bullgaria dhe BE-ja e përsëritën gabimin ndaj Maqedonisë së Veriut. Gabimi historik i vitit 2019, tani është gabim i madh gjeostrategjik i BE-së. Ky gabim është motivim për depërtim edhe më serioz të interesave të palëve të treta në zemër të Evropës.”

Qeveria e prerë se as pas këtij bllokimi, me Sofjen nuk do të bisedojë për çështjet e identitetit, ndonëse do të vazhdojë me zbatimin e marrëveshjes dypalëshe dhe reformat e brendshme.

Ndërsa kancelarja gjermane, Merkel u shpreh optimiste për zgjidhje, duke iu referuar kontakteve me kryeministrin bullgar, Borisov nga kabineti i këtij të fundit thanë se për zgjidhje duhet vullnet si nga Sofja ashtu edhe Shkupi.

“Edhe një herë bisedova me kryeministrin bullgar, Bojko Borisov dhe shpresoj që këto çështje të tejkalohen në të ardhmen e afërt’ deklaroi Angela Merkel, Kancelare e Gjermanisë.

Kabineti i kryeministrit, Borisov
“Kryeministri, Borisov dhe kancelarja, Merkel janë të interesuar për zgjidhjen e çështjes. Përpjekjet e palës bullgare gjithnjë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të drejtuara kah arritja e dialogut dhe mirëkuptimit për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe me Republikën e Maqedonisë së Veriut, por këtë duhet ta duan dhe bëjnë të dyja palët. Bullgaria ka mirëkuptim të plotë për këto përpjekje të partnerëve të saj në BE.”

Ndryshe, Sofja ka tre kushte që ta tërheq veton ndaj Shkupit: respektimi i formulimit të gjuhës sipas Marrëveshjes së 2017-tës, udhërrëfyes preciz për zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe heqje dorë nga pretendimet për pakicë maqedonase në Bullgari.

Anesa Salihu

 

LEXO EDHE:

Back to top button