Shumica në Kuvend siguron badenter

Shumica në Kuvend siguron badenter, kalojnë ndryshimet ligjore për Inspektoratin për përdorimin e gjuhëve dhe anëtarët e Këshillit të Agjencisë për shërbime audio dhe audiovizuale

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Inspektorati për përdorimin e gjuhëve më në fund po sheh dritë në fund të tunelit. Kuvendi arriti të sigurojë shumicë të badenterit për të votuar ndryshimet ligjore me të cilat inspektorati do të gëzojë statusin e subjektit juridik dhe kështu të gjithë të punësuarit pas gjashtë muajve vonesa, do të marrin pagat e tyre. Shumica sot shfrytëzoi momentin e mungesës së shumicës së deputetëve nga radhët e Frontit Evropian, dhe me 72 vota PRO dhe 3 Kundër, si dhe me 14 vota PËR dhe 5 kundër nga deputetët jo maqedonas, miratoi ndryshimet ligjore. Zv.kryeministri i Parë Izet Mexhiti tha se hapi i ardhshëm është që Inspektorati të funksionojë në kuadër të Agjencisë për gjuhët me çka do të mund të shqiptojë gjoba për institucionet që nuk respektojnë dygjuhësinë.

“Ndërsa ideja është që në fazën e dytë menjëherë pasi kaloi të fillojmë që inspektorati ne gjuhëve të shkon në kuadër të Agjencisë së gjuhëve sepse kur është sjellë, është sjellë me “lek specialis” pra me ligj të posaçëm, aty ta ngremë nivelin e agjencionit të gjuhëve në nivel pak më të lartë që të ketë mundësi të absorbon inspektoratin e gjuhëve. Poashtu edhe këtu ka një avancim përshkak se inspektorati i gjuhëve ka qenë i vetmi inspektorat i cili nuk ka pasur të drejtën e shqiptimit të gjobave”, tha Izet Mexhiti – Zv.kryeministër.

Përkundër faktit se deputeti Bejxhan Iljas nga Fronti Europian siguroi badenterin, koordinatori i këtij grupi parlamentar Blerim Bexheti reagoi në rrejtët sociale duke akuzuar VLEN-in se ndryshimet i sollën në mënyrë tinëzare.

“Nuk jeni “VLEN”, o VLEN kur veproni në këtë mënyrë tinëzare, mos harroni një gjë: populli ju sheh. Dhe e ka kuptuar kush jeni e kujt i shërbeni. S’patët guxim të dilnit në mejdan me vota, prandaj zgjodhët rrugën që e njihni më mirë: kontrabandën!
Në momentin kur u pa sa deputetë ka në sallë, në mënyrë tinzare, e futët në votim – si hajnët natën – ligjin për delegjitimimin e Inspektoratit të Gjuhës Shqipe”, tha i”, tha Blerim Bexheti – Fronti Evropian.

Pos Inspektoratit, me badenter kaluan edhe anëtarët e Këshillit të Agjencisë për shërbime audio dhe audiovizuale. Të propozuarit për anëtarë në këtë këshill, u votuan me 20 vota PËR dhe 4 KUNDËR. Në vend të Nafije Selmanit për të cilën kishte shumë reagime, u zgjodh Zërijeta Jajaga, ndërkohë kaloi edhe emri i anëtares tjetër Afrona Verzivolli. Kuvendi gjithashtu me badenter votoi edhe këshillin programor të Radio Televizionit të Maqedonisë. Pro votuan 20 deputetë, aq sa nevojiteshin minimum, ndërsa ndihmuan dy deputetët e LSDM-së, tre deputetët e ASH-së së Taravarit si dhe deputeti Bejxhan Iljas. Shumica parlamentare për momentin ka vetëm 14 deputetë jo maqedonas ndërsa opozita 25./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button