Siljanovska “mbytet” me kritika për vizitën e saj në Sofje
Siljanovska "mbytet" me kritika për vizitën e saj në Sofje
Gazetar: Suad Bajrami
Pavarësisht premtimit, kabineti i Presidentes Gordana Siljanovska nuk sqaron nëse ka dërguar kërkesë zyrtare për sqarim deri te Presidenca e Bullgarisë në lidhje me incidentin e fotografimit gjatë pritjes së saj në Sofje nga homologu Rumen Radev, pa flamurin e Maqedonisë së Veriut.
Nga Kabineti i Presidentit nuk përgjigjen gjithashtu edhe për atë se kush është përgjegjës për situatën e krijuar, e cila u përcoll me tone kritike të ashpra në vend, ndërkaq opozita e quajti poshtërim dhe skandal diplomatik. Jozyrtarisht, mediat raportojnë se nesër në takim në Vilën presidenciale në Vodno është ftuar ambasadori bullgar në Shkup, megjithatë presidenca nuk e konfirmon as këtë.
Për fotografimin me Radevin vetëm me flamurin bullgar, dje nga kabineti i Siljanovskës sqaruan se fotografimi ka qenë i rastësishëm dhe i paplanifikuar.
“Ajo që i hodhi hije ngjarjes ishte devijimi nga protokolli i rënë dakord për takimin, sipas të cilit nuk duhej të kishte asnjë foto brenda hapësirës së mbyllur. Por fatkeqësisht, para fillimit të takimit kokë më kokë, presidenti Radev e ftoi presidenten që të bëjnë fotografi të përbashkët para flamurit bullgar, edhe pse një veprim dhe akt i tillë nuk ishte parashikuar apo rënë dakord”, thonë nga Kabineti i Presidentes së Maqedonisë së Veriut.
Por, opozita hedh poshtë arsyetimin. Bogdanka Kuzeska nga LSDM thekson se po të ishte fotografuar presidentja pa dëshirë në një situatë të imponuar, nuk do t’i shpërndante fotografitë pa flamurin maqedonas në rrjetet sociale dhe gjithandej.
“Si ashtu kanë qenë të mashtruar dhe pa planifikuar janë fotografuar në fotografi zyrtare? Si, nëse kanë qenë të mashtruar të fotografohen të gjithë pa flamurin maqedonas, menjëherë shpejtuan t’i publikojnë fotografitë në profilet e tyre? Pse kanë publikuar fotografi nëse tërë situata ka qenë e imponuar? DPMNE dhe Siljanovska e ofendojnë inteligjencën e qytetarëve. Ata me vetëdije janë fotografuar, me vetëdije kanë publikuar dhe janë lavdëruar me vizitën skandaloze”, tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.
Për mungesën e flamurit maqedonas në fotografinë mes dy presidentëve ka reaguar edhe partia e Majta. Ajo, presidenten e quan pion në lojën me identitetin maqedonas.
“Ky akt nuk është thjeshtë një incident diplomatik, por tregues simbolik i marrëdhënies së elitave në pushtet ndaj kërkesave supremaciste bullgare dhe dëshmi se Siljanovska është pion në lojën bullgare me identitetin maqedonas – pa flamur dhe pa krenari”, reaguan nga E Majta.
Siljanovskën në Sofje e ka shoqëruar edhe ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë, Timço Muckunski, i cili deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim për incidentin me flamurin. Në delegacion, ishte edhe ministri i Kulturës dhe Turizmit Zoran Lutkov, i cili, gjithashtu u kritikua pasi që edhe ai sikur shefja e delegacionit, gjatë një takimi bilateral me ministrin e kulturës së Bullgarisë, Najden Todorov, u prit pa flamuri shtetëror të Maqedonisë së Veriut.
Vizita e Davkovës në Sofje u përcoll me vëmendje të madhe në vend, duke e pasur parasysh kontekstin politik ndryshimet kushtetuese. Bullgaria e ka kushtëzuar rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në BE, me futjen e bullgarëve në Kushtetutë. Këtë, presidentja Siljanovska dhe VMRO-DPMNE, në periudhën para se të vijnë në pushtet e kanë kundërshtuar./Alsat.mk