Siner tregon muskujt dhe kalon pa probleme në raundin e tretë

Gjithçka sipas planeve për Janik Sinerin, i cili kontrollon ndeshjen, fiton bindshëm në tre sete 6-1, 6-4, 6-2 ndaj vendësit Xhejms Dakuorth dhe kualifikohet pa shumë vështirësi në raundin e tretë të “Australian Open”. Tenisti u shfaq shumë i kënaqur, duke e komentuar kështu paraqitjen në Melburn.

“Çdo ndeshje është shumë e vështirë, ndaj jam vërtet i lumtur që kalova në raundin tjetër. Shërbeva shumë mirë dhe jam i kënaqur me paraqitjen time. E di që Dakuorth ka kaluar shumë operacione kirurgjikale dhe është bukur ta shohësh sërish në fushë në këtë nivel. I uroj gjithë të mirat për pjesën tjetër të sezonit. Faleminderit edhe publikut, e di që jeni australianë si kundërshtari im, por keni qenë shumë korrektë”.

Mendja është tashmë te sfida e raundit të tretë ndaj amerikanit Eliot Spizirri.

“E kam vëzhguar, edhe vitin e kaluar. Do të përballem me një lojtar shumë agresiv dhe me shërbim shumë të fortë. E pashë të luante edhe sot në fushat anësore, në kushte me shumë erë. Nuk e njoh shumë mirë, nuk kemi luajtur kurrë kundër njëri-tjetrit, por do të përgatitemi në mënyrën më të mirë”, përfundoi numri 2 i botës, i cili është fitues në dy edicionet e fundit në “Australian Open”.

LEXO EDHE:

Back to top button