Furnizimet me ujë, ushqim dhe ilaçe në Gaza janë duke u pakësuar. Spitalet janë në prag të kolapsit. Ato pritet të mbesin pa karburant për gjeneratorët në orët e ardhshme, duke vënë në rrezik jetën e mijëra pacientëve.
Vendimi i Izraelit për të ndalur furnizimet me ujë, por edhe sulmet ndaj pompave të karburanteve, kanë shkaktuar mungesë të theksuar të furnizimeve.
Banorët po përpiqen të sigurojnë ushqime përpara ofensivës së paralajmëruar izraelite.
“Kam ardhur këtu për të mbushur ujë të pastër për të pirë, po e përdor për çdo gjë, jo vetëm për të pirë. Ka ditë që nuk ka ujë brenda shtëpisë time”, tha Ejad Akel, banor.
“Situata është tragjike. Unë kam shtatë familje të pastreha në shtëpi. Refuzuan të më japin më shumë bukë dhe kjo tregon për situatën tragjike në të cilën ndodhemi. Ne jemi këtu për të blerë bukë për fëmijët, jo për ne. Unë nuk mund të ha duke parë ngjarjet që ndodhin”, u shpreh Um Abdullah Rizik, banore.
Izraeli ka thënë deri më tani mbi 600.000 persona janë evakuuar nga zona e Qytetit të Gazës. Afër 500.000 persona, pothuajse çereku i popullsisë së Gazës, janë strehuar në shkollat që udhëhiqen nga OKB-ja dhe në ndërtesa të tjera në mbarë territorin. Ushtria izraelite thotë se po tenton të largojë civilët nga veriu i Gazës para një fushate të madhe kundër Hamasit, ku ka thënë se militantët kanë rrjete të gjera tunelesh dhe kanë raketahedhës. Hamasi u ka bërë thirrje banorëve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. SHBA-të janë përpjekur të ndërmjetësojnë një marrëveshje për të rihapur kalimin e Egjiptit në Rafah me Gazën për të lejuar që amerikanët dhe të huajt e tjerë të largohen dhe të sillet ndihma humanitare e grumbulluar në anën egjiptiane.
Izraeli thotë se nuk do të heqë dorë nga vendimi për rrethimin e Gazës, derisa militantët e Hamasit të lirojnë të gjitha pengjet. Sipas ushtrisë izraelite, Hamasi dhe militantët e tjerë palestinezë janë duke mbajtur 199 pengje në Gazë. Ky është numër më i lartë i pengjeve sesa vlerësimet paraprake. Si pasojë e dhunës, në Rripin e Gazës janë raportuar 2.670 palestinezë të vrarë, ndërsa në Izrael janë vrarë mbi 1.400 izraelitë. /Alsat.mk








