S’ka strategji për vaksinimin e mësimdhënësve

Shkollat fillore dhe të mesme kanë mbetur në udhëkryq sa i përket fillimit të vitit të ri shkollor 2021-2022. Drejtorët që kontaktuam thanë se nuk kanë njohuri për cilën mënyrë duhet të përgatiten shkollat, për mësimin nga distanca ose atë me prani fizike. Madje, për këtë të fundit dikasteri i Arsimit nuk jep përgjigje konkrete nëse do të mund të realizohet pa u vaksinuar të gjithë mësimdhënësit dhe në sa ka arritur numri i mësimdhënësve të vaksinuar. Përgjigjja e shkurtër që vjen nga ky institucion është se kthimi i nxënësve në shkollë është në të mirë të fëmijëve.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës është në koordinim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe po bëhen përpjekje për të vaksinuar stafin mësimdhënës. Të gjithë duam që nxënësit të kthehen në shkolla sepse e dimë që frekuentimi fizik është në interesin më të mirë të fëmijëve – njoftojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Ndryshe nga Ministria e Arsimit, nga Shtëpia e Shëndetit në Kumanovë i kanë dhënë përparësi vaksinimit të mësimdhënësve të arsimit fillor dhe të mesëm. Drejtori Faruk Alili tha sa vaksinimi i mësimdhënësve po bëhet me qëllim që viti i ri shkollor të nis me prezencë fizike dhe me mësues të vaksinuar.

Ky proces është zhvilluar hap pas hapi sepse nuk kemi mundur të gjitha shkollat përnjëherë t’i vaksinojmë sepse kemi pas edhe terminë të cilat janë shfrytëzuar për vaksinimin e qytetarëve. Ne jemi munduar që njëkohësisht t’i vaksinojmë edhe ata të cilët kanë terminë por edhe stafin arsimor të shkollave fillore, jemi në proces që t’i vaksinojmë edhe shkollat tjera fillore në Kumanovë dhe në komunë të Likovës. Qëllimi jonë është që në shtator të fillohet me prezencë fizike mësimi e jo online, sigurisht nëse ashtu vendos Ministria e Arsimit – tha Faruk Alili drejtor i Shtëpisë së Shëndetit Kumanovë.

Deri më tani, janë vaksinuar mësimdhënësit të cilët procesin mësimor e realizuan me prezencë fizike dhe ata të cilët ishin pjesë provimeve të maturës shtetërore. Përveç mësimdhënësve në arsimin fillor dhe të mesëm, edhe në çerdhet e vendit janë vaksinuar vetëm një numër i vogël i punonjësve.

Melihate Rustemi

LEXO EDHE:

Back to top button