S’ka takime të reja për zgjerimin e shumicës

S’ka takime të reja për zgjerimin e shumicës

Gazetare: Fatlume Dervishi

Nuk është caktuar akoma një takim i radhës mes grupeve negociatore të LSDM-së dhe Aleancës për Shqiptarët për zgjerimin eventual të shumicës. Kryeministri Dimitar Kovaçevski konfirmon se në agjendën e afërt nuk ka paraparë takim me Taravarin ose kreun e Alternativës, Afrim Gashin.

“Grupi i punës të cilin e formuan njëzëri në kryesinë ekzekutive të LSDM-së punon për përgatitjen e mundësisë për hyrjen e një partneri të ri në qeveri”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër

As nga Aleanca për Shqiptarët nuk ka informacione të reja, përveç tashmë të kumtuarave se programi është harmonizuar në masën 90% dhe se do të vazhdojnë negociatat për kuadrot. E zemëruar nga ky proces mbetet Alternativa, e cila nuk pranon të lëshojë aq lehtë resorët që drejton. Deputeti tashmë i pavarur, Skender Rexhepi, deklaron se partia e Gashit ka dështuar në realizimin e qëllimeve programore në qeveri.

“Alternativa kishte rastin gjatë gjithë këtyre 13 muajve që të kushtëzojë qeverinë për programin qeveritar ta realizojë deri në detaje por fatkeqësisht interesat e ngushta të një klani të vogël nuk lejuan që ata pika programore të realizohen andaj ata do të qëndrojnë pjesë e qeverisë qoftë edhe me një dikaster të vogël, do të qëndrojnë turpshëm ose do të duhet të largohen me krenari, të dëshmojnë se dështuan në qeverisjen 1-vjeçare”, tha Skender Rexhepi, deputet i pavarur.

Rexhepi konfirmon se do të vijojë të veprojë si deputet i shumicës deri sa të vijë koha që me qeverinë të flasë për kërkesat e tij politike. Do ta mbështesë zgjerimin e shumicës edhe pse e konsideron si hap për interesa partiake.

“Nëse mbes pjesë e shumicës që besoj se do të ketë hapësirë të bisedohet do ta përkrahim. Nuk kam asgjë kundër hyrjes së Aleancës edhe pse ishte e pakuptueshme arsyeja. E njëjta arsye është si në rastin e parë, si në rastin e dytë, gjoja se për Bashkimin Evropian por në esencë nuk është ajo sepse ndryshimet kushtetuese nuk sigurohen me hyrjen e Aleancës. Duhet edhe diku 6-7 deputetë. Janë interesa partiake, padyshim, por është e drejtë e tyre. Ashtu e kishte atëherë edhe Alternativa, për interesa partiake por me një program i cili shpresonim se do të realizohet”, shtoi Skender Rexhepi, deputet i pavarur.

E VMRO-DPMNE-ja shpreson se deputetë të caktuar të shumicës nuk do të votojnë ministrat e rinj të Aleancës dhe në atë rast, do të detyrohen të pranojnë zgjedhje të parakohshme. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button