Inspektorati i Arsimit ka konstatuar se mësimi online në shkollat e Strugës është i paligjshëm

Inspektorati i Arsimit ka konstatuar se mësimi online në shkollat e Strugës është i paligjshëm

Gazetar: Miki Trajkovski

Mësimi online në shkollën fillore “Vëllezërit Miladinovi” në Strugë zhvillohet në kundërshtim me ligjin, ka konstatuar kontrolli i jashtëzakonshëm i Inspektoratit Shtetëror të Arsimit. Inspektorët dolën në terren pasi Alsat raportoi se mbi 650 nxënës nga klasa e gjashtë deri të nëntën vijojnë mësimet online që nga fillimi i gjysmëvjetorit të dytë, për shkak të rinovimit të objektit të shkollës. Shkollat kanë 8 ditë afat për t’iu rikthyer mësimit me prezencë fizike.

“Pas inspektimit të kryer për konstatimin e gjendjes faktike lidhur me realizimin e procesit arsimor në SHFK “Vëllezërit Miladinovi” – Strugë, për shkak të rinovimit të shkollës dhe mungesës së kushteve të përshtatshme, për nxënësit nga klasa e gjashtë deri të nëntën, mësimi zhvillohet me mësim nga distancë, përkatësisht online, gjë që bie ndesh me nenin 50-a paragrafi 1 të Ligjit për arsim fillor. Për parregullsinë e konstatuar do të merret vendim për heqjen e parregullsive të konstatuara”, thonë nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit.

Se pse shkolla po rinovohet gjatë vitit shkollor, autoritetet nuk duan të flasin, por ka pak gjasa që rinovimi të përfundojë brenda afatit të caktuar nga inspektorati. Prindërit kundërshtojnë vendimin e shkollës.

“Komunat dhe shkollat që janë nën kompetencën e tyre janë përgjegjëse për organizimin e procesit edukativo-arsimor. Kështu që Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk jep pëlqime për organizimin e mësimit online. Kjo formë e mësimdhënies mund të organizohet vetëm në kushte të jashtëzakonshme dhe me vendim të Qeverisë”, thonë nga Ministria e Arsimit.

Në shkollën e fshatit Vranishtë, ku gjithashtu zhvillohej mësimi online, nxënësit u kthyen në bankat e shkollës. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button