S’ka zgjidhje për kaosin në transportin publik në Shkup, qytetarët për orë të tëra presin autobusë

S’ka zgjidhje për kaosin në transportin publik në Shkup, qytetarët për orë të tëra presin autobusë

Gazetar: Mefail Ismaili

Zgjidhja e problemit me transportin publik në Shkup mbetet enigmë për mediat dhe qytetarët. Derisa mijëra banorë të kryeqytetit për çdo ditë, më shumë se tetë muaj, presin me orë të tëra autobus nëpër shi, të ftohtë, borë ose edhe temperatura të larta, nga Qyteti i Shkupit për Alsat thonë se problemi do të zgjidhet së shpejti, duke theksuar se procedurat janë drejt fundit.

“Në thirrjen e fundit transportuesit privat i kanë dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme. Për momentin kryhen disa procedura në Ndërmarrjen për Qarkullim publik. Besoj se së shpejti gjithçka do të përfundojë. Presim që javën e ardhshme të nënshkruhen kontratat me transportuesit privat dhe ata të fillojnë me punë”, tha Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit.

E pyetur nëse do u paguhet borxhi edhe 27 kompanive të transportuesve privatw, Arsovska tha se nuk është shumë e informuar pasi këtë dinamikë e ndjek Ndërmarrja për Qarkullim Publik.

Për tre ditë radhazi, kërkuam qëndrim edhe nga transportuesit privat të cilët për mediat janë tërësisht të pakapshëm për të informuar nëse janë të gatshëm që të fillojnë tu shërbejnë qytetarëve.

Ndërsa vitin e kaluar, kur Qyteti i Shkupit ndërpreu bashkëpunimin me ta, ndërsa kryetarja Danella Arsovska nuk i pranonte as në bisedë, transportuesit privat vazhdimisht ishin të kapshëm dhe aktiv në media, ndërsa javët e fundit thuajse janë plotësisht të paarritshëm, madje duke i fikur dhe telefonat

Rreth tetë muaj më parë, në tetor të vitit të kaluar, transportuesit privat ndërprenë së qarkulluari në rrugët e kryeqytetit, për shkak të borxhit prej rreth 2 milionë euro. Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska nuk pranonte se ka borxh ndaj transportuesve, madje as nuk i pranonte ato në takime për të biseduar për zgjidhjen e problemit. Për këtë arsye, transportuesit dolën në protestë dhe nxorën në rrugë mbi 100 autobusë me të cilët punonin. Pas mospërfilljes nga kreu i Qytetit të Shkupit, ata kërkuan ndihmë dhe takim edhe me kryeministrin, gjë e cila nuk ndodhi. Në ndërkohë qyteti hapi dy thirrje për të zëvendësuare transportuesit privat aktual me të tjerë, por ata dështuan.

Në muajin shkurt, Arsovska pranoi në takim transportuesit dhe u deklarua nga të dy palët se zgjidhje u gjet dhe së shpejti do të fillojnë punën autobusët privat. Atëherë transportuesit privat themeluan organe të reja drejtuese dhe u hap thirrja e tretë ku aplikuan, por përsëri dështoi, për shkak se siç thonë të dy palët, në aplikim ka pasur mungesë të disa dokumenteve. Për në shumë se një muaj më parë u hap edhe thirrja e katërt, e cila siç thanë, është mbyllur me të gjitha procedurat e rregullta, por rezultatet nga e gjithë kjo procedurë nuk dalin në shesh. E derisa pritet që Qyteti i Shkupit dhe transportuesit privat të përfundojnë marrëveshjet e tyre, qytetarët pësojnë më së shumti, duke pritur dhe shtyrë nëpër auto pak autobusë që qarkullojnë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button