Skuadra e Premier Ligës, ofron 40 mln euro për Brojën

Sipas “The Guardian”, skuadra e Uest Hamit, e drejtuar nga Dejvid Mojs, që sapo ka blerë mbrojtësin maroken Najef Aguerd nga Ren, ka vënë në shënjestër Armando Brojën, talentin e ri shqiptar në pronësi të Çellsi, i kthyer nga një sezon mbresëlënës huazimi te Sautemptoni. Broja shënoi 6 gola në Premier Ligë, duke kontribuar shumë në mbijetesën e skuadrës.

Uest Ham ka gati një ofertë prej 30 milionë paund, diçka më pak se 40 milionë euro për sulmuesin e talentuar shqiptar. Megjithatë, në garën për shërbimet e Brojës, Uest Ham do të duhet të përballet me konkurrencën e disa klubeve kryesore angleze, duke përfshirë Arsenalin. Po kështu, “ankandit” të shqiptarit i është bashkuar edhe Napoli, klub që e ka ndjekur lojtarin prej disa kohësh dhe e ka identifikuar atë ndër trashëgimtarët e mundshëm të Viktor Osimhen, nëse nigeriani largohet nga Italia.

Pengesa e fundit, është vullneti i Çellsit, i cili mund të shkojë deri aty sa të kërkojë deri në 40 milionë paund për xhevahirin e tij. Fjala e fundit, megjithatë, do të jetë e Tomas Tushellit, i gatshëm të marrë parasysh edhe mundësinë e mbajtjes së Brojës në ekipin që drejton.

LEXO EDHE:

Back to top button