Soreca apel qytetarëve: Dilni dhe votoni, mos e humbisni këtë mundësi

Duke folur nga Elbasani, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, iu bëri apel zgjedhësve që të dalin në votime duke ushtruar kështu të drejtën dhe përgjegjësinë e tyre si qytetarë. Soreca sqaroi se të gjitha zhvillimet po ndiqen nga afër, përmes 50 epikeve të shpërndara në të gjithë vendin.

“Sot është një ditë vërtetë shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë që do të ushtrojnë atë të drejtë që ata kanë për të votuar. Në këtë qendër votimi, por edhe në qendra të tjera votimi ku kam qenë, qoftë këtu apo në Tiranë, e kemi parë që shumë zgjedhës kanë dalë për të votuar dhe kanë hedhur votën e tyre.

Pra shumë zgjedhës kanë votuar, dhe në fakt ajo që kam parë është një prirje që sistemi i ri po funksionon. Në fakt, ka pasur edhe disa probleme teknike, për shembull unë kam qenë në një qendër votimi ku pajisja e identifikimit elektronik pati një problem teknik, por arriti të zëvendësohej shumë shpejt me një pajisje tjetër.

Thirrja ime për të gjithë qytetarët është që sot duhet të dilni dhe të votoni, duhet që të ushtroni të drejtën dhe përgjegjësinë tuaj për votuar. Në fakt, kjo është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë, për Shqipërinë në BE. Ne po i ndjekim të gjitha zhvillimet nga afër. BE ka epiket e veta, jemi pjesë e 50 epikeve. Jemi të pranishëm në të gjithë Shqipërinë. Unë personalisht jam në Shqipërinë Qendrore, ku do vazhdoj të qëndroj dhe të shkoj gjatë gjithë ditës. Kjo është një ditë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë në BE.

Edhe një herë në fund të fjalës sime, më lejoni t’i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që të dilni dhe të votoni. Mos e humbisni këtë mundësi pasi ju vendosni për të ardhmen. Kjo është e drejta dhe përgjegjësia juaj”, u shpreh Soreca./A2CNN

LEXO EDHE:

Back to top button