Sot të drejtën e votës e shfrytëzuan të burgosurit dhe të sëmurët

Sot të drejtën e votës e shfrytëzuan të burgosurit dhe të sëmurët

Gazetar: Lluka Andreev

Një ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjeve parlamentare, të drejtën e votës e shfrytëzuan të burgosurit dhe personat e sëmurë, përkatësisht të pafuqishmit. Ndryshe nga raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale dy javë më parë, kur votuan më shumë se nëntë mijë njerëz të regjistruar si të sëmurë dhe të pafuqishëm, numri tani është rritur. Sot për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale janë regjistruar për të votuar 11.095 persona, ndërsa për zgjedhjet parlamentare 11.197 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm kanë paralajmëruar se do të shfrytëzojnë të drejtën e votës.

Përveç votimit në shtëpitë e të sëmurëve, por edhe në shtëpitë e të moshuarve ku janë të regjistruar 534 persona, procesi zgjedhor u zhvillua edhe në institucionet ndëshkuese-korrektuese për 2147 të burgosur dhe të paraburgosur. Në burgun e Idrizovës kanë bërë të ditur se votimi është zhvilluar pa probleme dhe vështirësi. Deri në orën 11, kanë votuar pothuajse 30% e 887 votuesve të regjistruar.

“Deri më tani kanë dalë 250. Votimi ka nisur në orën shtatë dhe do të përfundojë në orën 19. Nuk ka probleme, gjithçka po shkon siç duhet”, tha Zoran Petroviq – anëtar i Këshillit zgjedhor.

Këshilli zgjedhor thotë se i pyesin të burgosurit se për cilat zgjedhje duan të votojnë, parlamentare apo ato presidenciale.

“I marrin të dyja fletët e votimit, por kush do, voton e kush jo, e lë ose e lë bosh ose e nënvizon. Është vullneti i tyre”, tha Zoran Petroviq – anëtar i Këshillit zgjedhor.

Përveç në vend, sot votohet edhe jashtë vendit, por vetëm për zgjedhjet presidenciale, pasi për zgjedhjet parlamentare nuk janë regjistruar votues të mjaftueshëm. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi se 2569 votues në diasporë mund ta ushtrojnë të drejtën e votës në 31 përfaqësi diplomatike-konsullore. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button