Autoritetet shëndetësore në Spanjës dje njoftuan se janë duke shqyrtuar tri incidente serioze të mpiksjes së gjakut, përfshirë një vdekje, që mund të lidhen me vaksinën AstraZeneca, njoftojnë mediat e huaja. Spanja të hënën ndaloi përkohësisht administrimin e vaksinës pasi u shfaqën më shumë raporte të një lloji specifik të trombozës. Zyrtarët spanjollë zbuluan një rast tromboze pas vaksinës, e cila karakterizohej nga trombocite të ulëta të gjakut, që zyrtarët evropianë po dyshojnë se mund të jetë një efekt i rrallë anësor.
Ministria e Shëndetësisë tha se dy raste tjera të ngjashme janë regjistruar në Spanjë, njëra prej të cilave përfundoi me vdekjen e një mësuese të martën. Mediat lokale e kanë identifikuar mësuesen si një nënë 43-vjeçare e dy fëmijëve. Ajo ishte vaksinuar në fillim të marsit dhe menjëherë më pas shkoi te mjekët duke u ankuar për dhimbje të mëdha koke. Disa ditë më vonë, ajo u kthye në spital, ku mjekët zbuluan hemorragji të rëndë cerebrale që çoi në vdekjen e saj, theksuan mediat lokale.
Autoritetet po studiojnë tri raste të izoluara “në kontekstin e 975.661 personave të vaksinuar në Spanjë” me AstraZeneca. Në të njëjtën kohë, nuk ka asnjë garanci se ngjarjet janë të lidhura drejtpërdrejt me vaksinën, e jo thjesht të rastësishme.
“Megjithëse këto ngjarje janë të rralla, ato mund të ndodhin në popullatën e përgjithshme”, tha Ministria në deklaratë.
Zyrtarët spanjollë theksuan se shpresojnë që pauza e përkohshme të ndihmojë në përcaktimin nëse ka ndonjë shkak midis vaksinës dhe mpiksjeve të rralla të gjakut. Nëse ka, do të dëshirojnë të dinë nëse ka ndonjë faktor të veçantë rreziku për mpiksjen e gjakut, kështu që njerëzit në rrezik mund të marrin vaksina të ndryshme. Spanja dje raportoi 228 vdekje të tjera nga COVID-19, duke e çuar numrin e vdekjeve në gati 73 mijë.








