“SPB Tetovë po pengon fillimin e punimeve për projektin e rrugës së Butiqeve”

“SPB Tetovë po pengon fillimin e punimeve për projektin e rrugës së Butiqeve”

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Komuna e Tetovës akuzon Sektorin e Punëve të Brendshme në këtë qytet se po pengon fillimin e punimeve për projektin e rrugës së Butiqeve, i cili si projekt ndërkufitar me komunën e Prizrenit financohet nga Fondet IPA.

“Të kishim polici komunale ai projekt do kishte nisur shumë më herrët. Kërkesë është bërë shumë më herrët por nuk kem pëlqim për rregullimin e komunikacionit në atë rrugë që ne të dalim dhe të veprojmë aty. Ne do durojmë dhe kërkojmë që SPB Tetovë të jep përgjigje sa më shpejtë se përse nuk kemi përgjigje pozitive që ne të vazhdojmë me këtë projekt që është i rëndësishëm, sepse financohet nga fondet evropiane dhe brenda kornizës kohore duhet të realizohet”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

Sektori i Punëve të Brendshme hodhi poshtë pohimet e Kasamit, ndërsa sipas SPB-së projekti ka pasur mangësi.

“Gjatë kontrollit të projektit themelor të komunikacionit janë konstatuar lëshime esenciale, si kalim i alternuar i mjeteve nga drejtime të kundërta, dhe jo ndalim i plotë i qarkullimit, siç thuhet në projektin e tyre të trafikut. Në projektin bazë të trafikut kanë munguar vulat e personit juridik. Nuk ka vulë ligjore në lejen e ndërtimit, Për të dhënë pëlqimin e kërkuar, është e nevojshme të largohen të gjitha vërejtjet dhe të korrigjohet projekti i trafikut dhe të dorëzohet për rishqyrtim”, thonë nga SPB Tetovë.

Ky projekt ndërkufitar parasheh kthimin e rrugës së butiqeve në gjendjen e saj të vjetër, rrugë me kalldërma në gjatësi prej 420 metrash, si dhe vendosjen e pajisjeve urbane, ndërsa në fazën e dytë, është paraparë po ashtu edhe kthimi i pamjes së vjetër të vetë dyqaneve që janë në këtë rrugë. Projekti në tërësi do kap vlerën e rreth 300.000 eurove./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button